Studim kinez: Shikimi i vazhdueshëm i serialeve televizive mund të kthehet në varësi

Shikimi i vazhdueshëm i serialeve televizive, i njohur si “binge-watching”, mund të kthehet nga një zakon i padëmshëm në një varësi, veçanërisht kur lidhet me ndjenjën e vetmisë. Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri i realizuar nga studiues kinezë, transmeton Euro News Albania.

Studiuesit analizua të dhënat e 551 të rriturve që shikonin të paktën 3.5 orë televizor në ditë.

Rezultatet treguan se mbi 60 % e pjesëmarrësve plotësonin kriteret për varësi, duke përjetuar obsesion, rritje të qëndrimit para televizionit dhe pasoja negative në jetën e përditshme.

Tek personat e varur, niveli i vetmisë ishte dukshëm më i lartë dhe lidhej drejtpërdrejt me përkeqësimin e varësisë.

Ndërkohë, tek shikuesit e shumtë, por jo të varur, kjo lidhje nuk u vu re, duke treguar se faktorët psikologjikë janë vendimtarë në këtë fenomen.

Sipas studiuesve, vetmia i shtyn njerëzit drejt “binge-watching” përmes arratisjes nga emocionet negative dhe kërkimit të rehatisë emocionale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se vetmia prek rreth 16 % të popullsisë botërore dhe përbën një kërcënim serioz për shëndetin global.

Edhe pse studimi nuk provon një lidhje shkak-pasojë, ekspertët theksojnë se shikimi i tepruar i mediave mund të jetë një sinjal paralajmërues për izolim social, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjeve reale dhe mbështetjes sociale.