Studentët mbeten të margjinalizuar nga zgjidhja e re ligjore në RMV, reagoi FRA

Studentët, përmes trupës studentore universitare, mbeten të margjinalizuar. Ligji i propozuar për arsimin e lartë në këtë trup parashikon pjesëmarrjen e vetëm një studenti nga 11 anëtarët e trupit, shumica e të cilëve janë përfaqësues të qeverisë. Ai student përfaqëson vetëm 9 përqind të pjesëmarrjes në menaxhim. Studentët, si bartës të proceseve, meritojnë ndikim më të madh në trupat e universiteteve, veçanërisht në lidhje me trupat nga të cilët merren vendimet për programet dhe buxhetet e universiteteve, reagon Forumi Rinor Arsimor (FRA), i cili paraqiti vëzhgimet dhe qëndrimet e tij mbi zgjidhjen e re ligjore, transmeton Portalb.mk.

Përveç mangësive formale në vetë tekstin, thekson FRA, përmbajtja e projektligjit ngre disa pyetje thelbësore. Termi “ndërdisiplinaritet”, thotë Forumi, përmendet në disa nene (24,29,125,133), por konteksti nuk synon të stimulojë zhvillimin e programeve studimore ndërdisiplinore.

“Në një situatë ku cilësia e arsimit të lartë po dështon, universitetet duhet të inkurajojnë programe që kombinojnë disiplina të ndryshme dhe i përgatitin studentët për dinamizmin e tregut të punës. Prandaj, është e nevojshme të krijohen mekanizma për të inkurajuar studime të tilla dhe për të mundësuar përmirësimin përmes arsimit pasuniversitar në fushat ku studentët tashmë kanë përvojë”, thekson organizata.

Ndryshe, ministrja e Arsimit, Vesna Janveska është deklaruar e prerë se ligji nuk ka nevojë të tërhiqet.

Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.

Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.