Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” kërkuan transport publik: Situata në të cilën jemi, është e papranueshme

Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup sot mbajtën konferencë për shtyp, ata kërkojnë nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja e Qarkullimit Publik t’u sigurojnë transport publik për të mbërritur në universitet. Sipas studentëve, mungesa e transportit po shkakton stres, vonesa, dhe shpenzime shtesë për ta, transmeton Portalb.mk.

Pasi Portalb.mk trajtoi problematikën me mungesën e linjës së autobusëve nga Pellagonia ne UNT, studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup  përmes një konference për media, kërkuan edhe publikisht nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja e Qarkullimit Publik t’u sigurojnë transport publik për të mbërritur në universitet, i cili ndodhet në ish kazermën Ilinden.

Omer Hebibi kryetari i Parlamentit studentor të Universitetit “Nënë Tereza” tha se studentët kërkojnë që të ndërmerren menjëherë hapa për të siguruar linjat e transportit publik.

“Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i cili prej shtatorit të vitit të kaluar është zhvendosur në kampusin e ri, në ish-kazermën “Ilinden”, vuan nga linja e përshtatshme e transportit publik. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, për sigurimin e linjave të reja, që do të lehtësonin lëvizjen e studentëve dhe stafit, deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga autoritetet e Qytetit dhe ndërmarrja e qarkullimit publik. Kjo situatë është e papranueshme dhe tregon një mungesë të theksuar të prioritetit për arsimin dhe mirëqenien e të rinjve. Ne si student kërkojmë që të ndërmerren menjëherë hapa për të siguruar linja të transportit publik që lidhin kampusin universitar me pjesët kyçe të qytetit, të rishikojmë politikat e menaxhimit të fondeve publike duke u orientuar drejt nevojave reale të studentëve”, deklaroi  Hebibi kryetari i Parlamentit Studentor.

Ndryshe, në 13 nëntor nga Rektorati i universitetit thanë se me transferimin e tyre në kampusin e ri kanë tentuar ta zgjidhin edhe problemin me transportin e studentëve, por institucionet përgjegjëse nuk i kanë dëgjuar.

Portalb.mk (13 nëntor) siguroi kërkesat që UNT-ja ka bërë drejtuar NTP-së.

 

Po ashtu, nga Qyteti i Shkupit pjesë e së cilës është Ndërmarrja e Transportit Publik atë ditë theksuan se nuk kanë vullnet për ta zgjidhur këtë problem. Kurse Ministria e Arsimit u arsyetua.

Ndërsa, në 26 nëntor NTP Shkup mori gjashtë autobusë ekologjik me donacion nga BE.