Studentët e Maqedonisë së Veriut do të përfitojnë 50 përqind zbritje për biletat në institucionet e kulturës

Ministria për Kulturë në Maqedoninë e Veriut së bashku me Kuvendin Studentor të Universitetit kanë nënshkruar Memorandum që mundëson 50 përqind zbritje për biletat e studentëve gjatë hyrjes në institucionet e kulturës, transmeton Portalb.mk

“Me Memorandumin është përcaktuar zbritje studentore prej 50 përqind për biletat e të gjithë studentëve për hyrjen dhe ndjekjen e programeve në institucioneve nacionale në fushën e kulturës”, theksoi ministrja e kulturës, Bisera Kostadinovska – Stojçevska, duke vlerësuar që përmes kësaj do të bëhet kultura më e qasshme për të rinjtë.

Ajo theksoi që studentët duhet të kenë indeks me semestër të vërtetuar.

Ministrja theksoi që në Ligjin për Kulturës që është duke u përgatitur, është planifikuar edhe punësimi i kategorive që nuk kanë përvojë pune.