Stevçe Jakimovski ka marrë kërcënime se do të vritet, i dyshuari është shfaqur para shtëpisë së tij

Kryetari i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski ka marrë kërcënime se do të vritet, njoftoi sot në mëngjes Prokuroria Publike. Nga aty thonë se është iniciuar procedurë për një 60-vjeçar nga Shkupi, transmeton Portalb.mk.

“Më 4 tetor, i dyshuari me motoçikletë ka ardhur para shtëpisë së kryetarit të Komunës së Karposhit dhe familjes së tij dhe pa asnjë arsye fillimisht ka filluar ta ofendojë me ton të lartë, e më pas verbalisht ta kërcënojë se do ta vrasë dhe do t’ia shkatërrojë jetën. Ai ka vazhduar me kërcënimet ndaj një fqinji që ka qenë duke kaluar aty pranë”, kanë thënë nga Prokuroria Publike.

Të njëjtën ditë, në mbrëmje, i dyshuari e ka telefonuar kryetarin e komunës dhe ka vazhduar ta kërcënojë. Pasi viktima ka përfunduar bisedën telefonike, ai ka vazhduar t’i dërgojë mesazhe kërcënuese në aplikacionin Viber.

“Përderisa viktima ka raportuar ngjarjen në stacionin policor, i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e tij, ka bërtitur dhe me këmbëngulje i ka rënë ziles, duke i shqetësuar familjarët”, shtojnë nga Prokuroria.

Prokurori publik i propozoi gjykatës caktimin e masës së sigurimit ndalim të afrimit të të dyshuarit.