Spektakli francez solli artin dhe poezinë në rrugët e Tetovës

Spektakli francez “La Danse des Chrysalides de la Mer”, i realizuar nga kompania artistike franceze Cie Gwam, solli në zemër të qytetit të Tetovës një performancë poetike dhe vizuale, që ndërthurte lëvizjen, dritën dhe muzikën.  Ky aktivitet u organizua nga Aleanca Franceze në Tetovë, në bashkëpunim me Institutin Francez në Shkup dhe me mbështetjen e Pallatit të Kulturës në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Artistët francezë Olivier, Véronique dhe Alice krijuan një atmosferë interesante, duke e kthyer hapësirën publike në një vend takimi mes artit dhe qytetarëve.

Mimoza Ceka, drejtoreshë e Aleancës Franceze në Tetovë tha se dëshira e tyre është që ky qytet të jetë një vend ku kultura jeton jo vetëm brenda institucioneve, por edhe në rrugë, në sheshe dhe mes qytetarëve. Ajo theksoi se përmes aktiviteteve të tilla duan të sjellim frymën e kulturës franceze, të krijojnë përvoja të reja dhe t’i afrojnë njerëzit me artin.

Foto: Miomoza Ceka/Aleanca Franceze Tetovë
Foto: Miomoza Ceka/Aleanca Franceze Tetovë

“Për ne, kjo mbrëmje ishte shumë më tepër sesa një aktivitet kulturor. Ishte dëshmi se arti ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit, t’i emocionojë dhe t’i bëjë ta shohin qytetin e tyre me një sy tjetër. Në këtë vit të veçantë, kur Aleanca Franceze në Tetovë feston 25-vjetorin e themelimit, dëshirojmë të vazhdojmë të sjellim projekte që frymëzojnë, bashkojnë dhe pasurojnë jetën kulturore të qytetit tonë”, deklaroi Ceka.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Aleancës Franceze në Tetovë për promovimin e gjuhës dhe kulturës franceze, forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe pasurimin e jetës artistike në qytet.