Stacioni i pastrimit në Shkup nuk po ndërtohet, pritet që Qyteti i Shkupit t’i kryejë obligimet

Ndërtimi i stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në Shkup tashmë duhej të kishte filluar, afati tashmë ka kaluar, por që kjo të ndodhë është e nevojshme që Qyteti i Shkupit t’i përmbushë obligimet e veta, thotë ministrja e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova, në intervistën e dhënë për Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Që të fillojë ndërtimit i stacionit të pastrimit më parë duhet të përfundojnë edhe dy aktivitete. Bëhet fjalë për shpronësimin e tokës dhe planifikimin urbanistik, dy aktivitete që duhet t’i kryejë Qyteti i Shkupit”, sqaron ministrja Shukova.

Për momentin Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Qytetin e Shkupit, por vetëm përmes grupit punues.

“Unë tashmë i kam bërë thirrje Qytetit të Shkupit dhe “Ujësjellësit dhe kanalizimit” që të jenë pak më aktivë në proces, sepse këto dy aktivitete janë kusht që Ministria të marrë leje nga bankat për t’i paguar një paradhënie “Ujësjellësit”, e nga atje edhe realizuesit të projektit”, thotë ministrja Kaja Shukova.

Ajo shpreson se Qyteti i Shkupit do t’i kryejë këto obligime sa më shpejt që të mund të fillojë kështu ndërtimi i stacionit të pastrimit në Shkup.

“Nuk do të lejojmë që procesi të ndalojë, aq më pak të dështojë”. Do të presim edhe një ose dy muaj dhe do shohim se çfarë do të bëjmë më pas. Ky është një projekt me vlerë prej 200 milionë euro, nga të cilat 70 milionë janë grant”, tha ministrja Shukova.

Përndryshe procedura e tenderit për ndërtimin e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza tashmë ka përfunduar dhe është zgjedhur realizuesi më i favorshëm, pas çka pasoi një zënkë mes partisë VMRO-DPMNE dhe kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska për tentativa për manipulim të tenderit gjatë përzgjedhjes së realizuesit. U shkarkua edhe drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, i cili ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së, pas çka kjo parti e anuloi mbështetjen për kryetaren e Shkupit.

Tenderi për ndërtimin e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup u shpall në verën e vitit 2020, ndërsa për shkak të zvarritjes së procedurave nga Qyteti i Shkupit, po vonon edhe fillimi i punimeve në terren. Afati fillestar për përfundimin e ndërtimit të këtij objekti kapital ishte viti 2026. Nëse mendon që të bëhet anëtare e BE-së Maqedonia e Veriut do duhet të ndërtojë stacione për pastrimin  e ujërave të zeza në të gjitha vendbanimet më të mëdha.

Stacioni për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup duhet të ndërtohet në afërsi të lagjes Trubarevë dhe do të mundësojë trajtimin primar dhe sekondar të ujërave të zeza nga qyteti i Shkupit. Ky stacion do të ketë kapacitet për të përmbushur nevojat e 540.000 banorëve. Uji i trajtuar do të ketë një cilësi të lartë, gjë që do të përmirësojë cilësinë kimike dhe bakteriologjike të ujërave të lumit Vardar.

Për momentin ujërat e zeza nga kryeqyteti derdhen të patrajtuara drejtpërdrejt në lumin Vardar, ndërsa stacione më të vogla për trajtimin e ujërave të zeza janë ndërtuar në Saraj për lumin Treska dhe në Novosellë për lumin Lepenec, përmes të cilave duhet të bëhet trajtimi i ujërave të zeza nga vendbanimet që gravitojnë rreth këtyre lumenjve.

Përndryshe në intervistën për Meta.mk e cila do të transmetohet nesër, ministrja e mjedisit jetësor, Kaja Shukova, thekson se Qyteti i Shkupit është një nga katër komunat në vend për të cilën është siguruar donacion prej 10 milionë eurosh për zvogëlimin e pasojave nga ndotja e ajrit. Më konkretisht, udhëheqësia e Qytetit të Shkupit do të marrë fonde për blerjen e gjashtë autobusëve ekologjikë për transport publik.

Ndërkohë kujtojmë se ndonëse kontrata për implementimin e projektit IPA për ndërtimin e filtër stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Komunën e Tetovës është nënshkruar në vitin 2017, zbatimi i projektit është zvarritur vazhdimisht. Madje, ende nuk është shpallur tenderi për të njëjtën. Dosja ka ngecur në Ministrinë e Financave, por nga ky institucion nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske se kur do të shpallet tenderi. Nga Komuna e Tetovës presin që të shpallet në shtator.