Spasovski për koalicionin e LSDM-së me BDI-në: Të gjitha opsionet duhet të jenë në lojë

Spasovski sonte në TV21 tha se kryesia e partisë ende nuk ka marrë vendim për pjesëmarrjen e LSDM-së në koalicion me BDI-në në zgjedhjet e ardhshme, dhe se analiza nga e cila do të merren vendimet është në proces e sipër, por sipas tij, të gjitha opsionet duhet të jenë në lojë dhe të shqyrtohen, shkruan 360 Gradë.

“Të gjitha vendimet duhet të merren në bazë të analizave. Analizat duhet të sjellin përfundimisht një rezultat zgjedhor që do të thotë fitore në zgjedhje. Në parti po punohet për një analizë të tillë dhe në bazë të saj duhet të merren vendimet se cilat do të ishin koalicionet. Por një gjë është e rëndësishme: që ne kemi frontin pro-evropian si një front që do të luftojë kundër atyre që nuk kanë asnjë koncept për të ardhmen dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Analizat do të tregojnë se çfarë është më e mira… Të gjitha opsionet duhet të jenë në lojë dhe të shqyrtohen, por ende nuk ka një vendim të tillë nga lidershipi se si do të zhvillohen zgjedhjet. Potenciali i një koalicioni i LSDM-së është shumë më i madh se ai i opozitës dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim”, tha Spasovski në intervistën për emisionin “10 minuta” në TV21 që u transmetua sonte.

Për informacionet që po përhapen në opinion se në LSDM ka një atmosferë të tensionuar dhe se ish-kryetari Zoran Zaev ka porositur presidentin Dimitar Kovaçevski të tërhiqet nga partia deri më 28 janar, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha që “informatat më mirë të merren nga burime zyrtare”.

“Me afrimin e zgjedhjeve vijnë një sërë informatash e dezinformatash. Në LSDM tani po punohet intenzivisht, partia po përgatitet për dy procese zgjedhore, takime ditore mbahen në disa nivele të organizatave komunale. Pra partia po realizon komunikimin më të gjerë të mundshëm me anëtarësinë e saj dhe kjo dinamikë do të intensifikohet… Për fat të mirë në LSDM nuk kemi probleme të tilla për të cilat po spekulohet në opinion”, shtoi ai.

I pyetur nëse partia e Taravarit mund të hyjë në kombinim, Spasovski u përgjigj se “nëse analizat tregojnë se duhet krijuar lista të përbashkëta, të gjithë ata që janë për frontin evropian duhet ta bëjnë këtë, por nëse analizat tregojnë se duhet krijuar lista të ndara, sigurisht që LSDM do të marrë pjesë në zgjedhje me koalicionin aktual, me partnerët e saj tradicionalë”.

I pyetur për përshtypjet nga vizita në Uashington të SHBA-së, që praktikisht paraqet vizitën e parë të një ministri nga Departamenti i Punëve të Brendshme, Spasovski tha se kanë pasur takime për të ardhmen e bashkëpunimit, thellimin e bashkëpunimit si partnerë strategjikë dhe për të ardhmen e shtetit, në përgjithësi.

Spasovski u pyet edhe për vendimin e Qeverisë që “lista e zezë” e SHBA-së dhe Britanisë të merret parasysh në ligjet e Maqedonisë së Veriut. Ai tha se me miratimin e një zgjidhjeje të tillë ligjore do të mbrohet interesi i qytetarëve dhe publikut dhe se të gjitha procedurat që do të nënkuptojnë realizimin e saj, si ndalimi i pjesëmarrjes në prokurimet publike apo në jetën politike, do të përcaktohen me atë vendim ligjor.