SPAK-i përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim katër të pandehurit
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehurit Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”, raporton ABC.
Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ofruar dhe premtuar dhe kërkuar përfitime të parregullta për të ndikuar te funksionarë të drejtësisë si dhe kanë ofruar përfitime ndaj tyre.
Gjatë kohës së kryerjes së këtyre veprimeve të paligjshme, Aurel Zarka mbante postin e prokurorit në Vlorë, Eriona Daupaj ishte oficere e policisë gjyqësore në ish prokurorinë e Krimeve të Rënda ndërsa Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e korrupsionit në disa raste si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm si dhe nxjerrje të sekretit të hetimit.
Akuzat që rëndojnë ndaj tyre:
– Radovan Çela, i akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 5 herë, në bashkëpunim 4 herë, si dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer 2 herë, 1 herë në bashkëpunim.
– Astrit Vladi, i akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer 4 herë, si dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim.
– Aurel Zarka, i akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 3 herë, në bashkëpunim 2 herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
– Eriona Daupaj, e akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 4 herë, në bashkëpunim 2 herë, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer 2 herë.