Sot përfundon viti shkollor në RMV, nxënësit shkojnë në pushime veror
Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, sot është dita e fundit e shkollës për vitin shkollor 2024/2025. Ata do të jenë në pushime verore deri më 31 gusht, transmeton Portalb.mk.
Mësimi për maturantët përfundoi më 16 maj. Nesër, më 11 qershor, ata do të japin provimin e dytë ekstern të maturës shtetërore. Mbi 15,000 maturantë dhanë provimin e detyrueshëm të gjuhës amtare më 31 maj.
Ndërkohë, maturantët duhet të regjistrohen në vitin e parë të arsimit të mesëm këtë muaj.
Regjistrimi bëhet përmes linkut https://euslugi.mon.gov.mk/ me një hyrje të veçantë për nxënësit e shkollave të mesme përmes llogarive të tyre të përdoruesit në schools.mk.
Do të ketë dy regjistrime elektronike për nxënësit në qershor.
Sipas Konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), i pari do të jetë nga ora 00:00 e datës 14 qershor deri në orën 23:59 të datës 17 qershor, dhe dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla është më 18 qershor dhe 19 qershor.
Aplikimi i dytë në afatin e qershorit do të bëhet më 30 qershor, dhe dokumentet do të dorëzohen të nesërmen, më 1 korrik.
Me përfundimin e vitit, ministrja Vesna Janevska dërgoi urime për nxënësit.
“Nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të cilët sot e përfundojnë vitin shkollor, i përgëzoj për punën e tyre të palodhur dhe suksesin e merituar. Pushimet verore janë përpara jush, pushoni mirë, por mos harroni se ka kohë për lojë dhe për të lexuar libra, për t’u argëtuar dhe për të zotëruar aftësi të reja, për t’u shoqëruar dhe për të përdorur kompjuterin për kërkime. Urime të gjithë mësuesve, mësimdhënësve dhe profesorëve të cilët çdo ditë shkolle i ndihmuan të rinjtë të fitonin njohuri të reja dhe të ishin më të aftë për t’u përballur me sfidat. Ne e vlerësojmë punën tuaj, kemi rritur pagat tuaja me mbi 12 përqind dhe ato do të vazhdojnë të rriten, ndërsa po përmirësojmë vazhdimisht kushtet në të cilat punoni. Ju jeni shtylla mbi të cilën ndërtojmë një sistem arsimor cilësor dhe për këtë ju jemi mirënjohës”, tha Janevska.
Ajo përgëzoi edhe prindërit dhe kujdestarët, të cilët janë partnerë në arsim, për mbështetjen dhe besimin e tyre në kontributin e përbashkët për përparimin e çdo fëmije.
“Njerëz të ndershëm, të drejtë dhe të përgjegjshëm, me njohuri dhe vlera, mund të ndërtojmë vetëm me përkushtim të përbashkët”, tha Janevska.