Hapi siparin Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Hani i Elezit 2025”, marrin pjesë shoqëri dhe ansamble nga Maqedonia e Veriut
Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Han të Elezit, filloi edicioni i tretë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Hani i Elezit 2025”. Ky festival do të zgjasë për tre netë radhazi, pra me datat 9, 10 dhe 11 Qershor, ku edhe do të kulmojë me 11 qershor 2025 në natën finale, e cila konsiston edhe me 26 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Hanit të Elezit, shkruan Portalb.mk.
Festivali ka karakter garues ndërsa po marrin pjesë 20 ansamble dhe shoqëri kulturo artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e deri në Konispol.
Festivalin e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi, ku në fjalën e tij përshëndetëse tha se për tre netë radhazi do të sjellin emocione, vlera kulturore dhe kujtime të paharrueshme. Le të mbajmë gjallë identitetin, traditën dhe folklorin tonë.
“Festival, i cili do të jetë po aq i larmishëm në tradita, kultura, kostume, melodi, valle e këngë nga troje të ndryshme shqiptare. Suksesi i edicionit të kaluar me rreth 20 shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, na inspiron të ecim përpara me entuziazëm dhe vendosmëri. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje; është një frymëzim për brezat e ardhshëm që kultivon nuancat tona kulturore. Imazhi i festivalit me qilima anash, lapidar për dëshmorët dhe autoudhën përgjatë lumit Lepenc simbolizon thelbin kombëtar: nderimin për të kaluarën, sakrificën për lirinë dhe krenarinë për rrënjët, si dhe shpresën për të ardhmen. Ne duam që pas 10, 20 apo 30 vitesh, ky Festival në Han të Elezit të qëndrojë si simbol i vazhdimësisë së traditës tonë, përtej ndikimeve kulturore globale”, tha Ballazhi.
Në natën e parë të këtij festivali u prezantua SHKA “Shqiponja”, Saraj, Maqedonia e Veriut, e begatoi programin me këngë dhe valle popullore, duke mbajtur gjallë vlerat dhe tradita tona të kahmotshme.

Në natën e parë garuan gjithsej gjashtë shoqëri kulturo artistike:
- SHKA “Ulcinium” Ulqin, Mal i Zi
- SHKA “Shqiponjat” Saraj
- AAKV “Kastriotët” Ferizaj
- SHKA “Zëri i Kamenicës” Kamenicë
- SHKA “Zahir Pajaziti” Podujevë
- SHKA “Bresana” Dragash
Sonte dhe nesër do të garojnë nga 7 ansamble.
Juria e festivalit e përbërë nga: prof. Dilaver Kryeziu, i cili është edhe regjisori dhe drejtuesi artistik i festivalit, si dhe profesionistët prof. Sami Piraj publicist dhe kompozitor, prof.dr. Besarta Reçica etnologe, janë të ngarkuar me përgjegjësinë dhe sfidën e vlerësimit të ansambleve, një detyrë e rëndësishme dhe me peshë të madhe.
