Sot në Shkup hyn në fuqi ndalimi i hedhjes së mbeturinave nga ora 22:00 deri në orën 6:00

Sot në kryeqytet hyn në fuqi vendimi që ndalon hedhjen e mbeturinave nga ora 22:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit, me qëllim vendosjen e rendit në menaxhimin e mbeturinave dhe parandalimin e keqpërdorimit të kontejnerëve, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftuan autoritetet e qytetit, inspektorët do të jenë në terren pas mesnatës, me qëllim sanksionimin e atyre që shkelin ndalimin e ri të hedhjes së mbeturinave. Inspektorët e qytetit dhe rojet komunale do të përfshihen në kontrolle, të cilët do të patrullojnë rrugët e Shkupit, fillimisht me paralajmërime dhe më pas me gjoba.

Mosrespektimi i masës do t’u kushtojë banorëve të Shkupit 50 euro, ndërsa gjobat prej 1,300 deri në 1,800 euro janë parashikuar për personat juridikë, pra kompanitë, dhe mund të jenë më të larta në varësi të llojit të mbeturinave.

Shkeljet do të përcaktohen në vend, dhe nëse gjejnë mbeturina të hedhura tashmë në një shkallë më të madhe që janë të një lloji të ndryshëm nga mbeturinat e zakonshme shtëpiake, do të kryhet kontroll më i detajuar mbi personat juridikë.

NP “Higjiena Komunale” thotë se masa është drejtuar kryesisht ndaj personave juridikë, të cilët, siç pretendojnë ata, më shpesh i hedhin mbeturinat në mënyrë të papërshtatshme dhe në orët e vona.

Qyteti i Shkupit ka gjithsej 40 inspektorë, 11 inspektorë komunalë dhe 10 roje komunale.

Këshilli i Qytetit të Shkupit, në një seancë të mbajtur më 14 nëntor, miratoi vendim që ndalon hedhjen e mbeturinave komunale në kontejnerë midis orës 22:00 dhe 06:00, ndërsa qytetarët që nuk e zbatojnë do të përballen me gjobë prej 50 eurosh.

Vendimi u kundërshtua ashpër nga këshilltarët e Levicës, të cilët e vlerësuan atë si skandaloz.

Sa i përket pastrimit, Shkupi përpara se të vijë Gjorgjievski ishte lënë të mbytej në mbeturina për javë të tëra, derisa pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave – njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për opozitën, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.