Qytetarët bllokuan urën “Binjakët” në Aerodrom, kërkojnë zgjidhje të përhershme për deponinë ilegale Vardarishte
Sot në mëngjes, rreth pesëdhjetë qytetarë bllokuan udhëkryqin te ura “Binjakët” për një orë, që është pjesë e protestës që është organizuar çdo pasdite për dhjetë ditë në të njëjtin vend. Sot në mëngjes, qytetarët e komunave Aerodrom dhe Gazi Babë përsëritën kërkesat e tyre për zgjidhjen e problemit të deponisë ilegale Vardarishte, transmeton Portalb.mk.
Protesta, sipas iniciativës qytetare “Stop për Vardarishten”, do të zgjasë çdo ditë nga një orë në mëngjes, nga ora 7:30 deri në 8:30 dhe pasdite në orën 18:00.
“Nga sot, edhe ne fillojmë të bllokojmë për një orë në mëngjes për t’u vënë re. Nuk kemi agjendë politike, partiake. Duam të jetojmë në një mjedis të shëndetshëm”, thotë Zoran Stojkovski.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të dalin në bllokadë për të treguar se duan ajër dhe duan të marrin frymë.
Sa i përket nëse do të marshojnë përsëri drejt ndërtesës komunale gjatë protestave të pasdites, Stojkovski thotë se do ta marrin vendimin kur të mblidhen.
I pyetur nëse kryetari i përkohshëm i Komunës së Aerodromit dhe kandidati në zgjedhjet lokale për kryetar komune, Dejan Miteski, ka dalë deri më tani në protesta për të folur me ta, Stojkovski tha “jo”.
“Na thanë nëpërmjet njerëzve të tjerë se donte të takohej me ne. Deri më tani, nuk ka ardhur dhe as nuk ka dalë kur marshojmë para ndërtesës së komunës pasdite”, tha ai.
Protestat në Komunën e Aerodromit filluan javën e kaluar pasi deponia ilegale e mbeturinave Vardarishte u përfshi nga flakët dhe ajri mbante erë mbeturinash dhe plastike.
Kujtojmë se kohëve të fundit, janë raportuar zjarre në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.
Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.