“Fati jonë si sociologë është ngushtë i lidhur me fatin e njerëzimit.”
Michael Burrawoy, sociolog britanik
Sociologjia është disiplinë që studion zhvillimin, strukturën dhe funksionimin e shoqërisë njerëzore. Ajo ka si objektiv të mirën e njeriut dhe të shoqërisë, atë që quhet good society, jo vetëm në mikro, por edhe në makro plan. Dhe në këtë drejtim, sipas Judith Blau (2015), sociologët ndajnë një parim themelor: të gjitha qeniet humane kanë të drejtë t’i gëzojnë të drejtat themelore të njeriut. Pra njeriu social është në epiqendër të kësaj disipline që ka një mision sublim, avancimin drejt majave qytetërimore, shmangien nga instinktet animale-destruktive, afirmimin e humanitetit si vlerë kulmore. Madje ekziston dhe një disiplinë e quajtur “sociologjia e të drejtave të njeriut”, lançuar nga Bryan S. Turner (1993), që ndihmon në të kuptuarit e të drejtave të njeriut në botën bashkëkohore, në një botë që nga viti 2023 e këndej po “vritet” me skena rrëqethëse nga një varr masiv i quajtur Gaza, kur të gjithë shpirtërat e gjallë dhe mendjet e shëndosha kanë konsensus se kemi të bëjmë me barbari të shekullit XXI, kur nuk kursehen as civilët, gratë, fëmijët, mjekët, gazetarët, të mos flasim më për gjëra materiale si infrastruktura që është bërë inivizibël dhe irrelevante në një kontekst të tillë.
Amnesty International, Human Rights Watch, Médecins Sans Frontières, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Komiteti Special i OKB-së për Hetimin e Praktikave Izraelite që Prekin të Drejtat e Njeriut të Popullit Palestinez dhe Arabëve të Tjerë në Territoret e Pushtuara kanë arritur në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza (ISA, 2025). Shifrat janë rrëqethëse, 10% e popullatës është zhdukur. (Sanders) Në këtë drejtim edhe institucioni më i fuqishëm planetar i sociologjisë ISA (International Sociological Association) ka ngritur zërin e vet të ndërgjegjes për t’i thënë stop kësaj lufte të pakuptimtë ku më së shumti vuajnë civilët, fëmijët, gratë, pleqtë…
Qysh më 13 maj kjo organizatë ka publikuar këtë thirrje publike (ISA Solidarity Statement with the Palestinian People) për t’i thënë stop këtij konflikti që ka kalur çdo kufi që mund të imagjinohet (beyond any limits we could have imagined):
- T’i jepet fund gjenocidit në Gaza dhe i dhunës në rritje në Bregun Perëndimor, Izraeli ta ndërpresë pushtimi ushtarak dhe të gjitha praktikat koloniale në këto territore, po ashtu edhe në Liban dhe Siri.
- Të hiqen kushtet e ngjashme me aparteidin me të cilat përballen palestinezët me shtetësi izraelite; të krijohen kushte që mundësojnë kthimin e refugjatëve palestinezë, përfshirë sigurimin e një jete të denjë dhe të qëndrueshme pas kthimit; si dhe të bëhet shpërndarja e menjëhershme dhe pa pengesa e ndihmës humanitare—si ushqim, shërbime shëndetësore dhe ujë—e cila aktualisht po pengohet nga qeveria e Izraelit.
- Të mbrohet liria akademike dhe liria e fjalës për të gjithë njerëzit, veçanërisht për pedagogët dhe studentët që hulumtojnë, që japin mësim dhe shprehen kundër praktikave të dhunshme të qeverisë së Izraelit, si brenda këtij vendi ashtu edhe në mbarë botën. /vazhdon/
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.