JazzFest rikthehet në Tetovë, Elina Duni mes yjeve të këtij edicioni, Lejla Halimi Lumani: Qyteti ka potencial të bëhet pikë takimi e artistëve nga mbarë bota

Festivali i Xhazit nuk do të mungojë as këtë vit në Tetovë, edicioni i këtij viti do të mbahet nga 11 deri më 13 shtator. Në një bisedë për Portalb.mk, organizatorja e festivalit, Lejla Halimi Lumani ndau më tepër detaje rreth edicionit të sivjetshëm. Këtë vit do të rikthehet ikona shqiptare e muzikës xhaz, Elina Duni. Edhe përskaj përkrahjes së vogël institucionale, ky festival ka arritur të mbijetojë, të sjellë artistë nga mbarë bota dhe të shpërbejë si një hapësirë artistike edukative muzikore ndaj muzikës xhaz, por edhe gjallërim i jetës kulturore të qytetit.

Portalb.mk: Çfarë ju shtyu të organizoni një festival xhazi pikërisht në Tetovë? Cili është synimi kryesor i këtij festivali?

Lejla Halimi Lumani: Organizimi i një festivali xhazi pikërisht në Tetovë erdhi si rezultat i bindjes sonë se ky qytet, me energjinë rinore dhe mozaikun e pasur kulturor, përfaqëson një terren të gjallë dhe jo aq të zhvilluar për jetësimin e skenës së muzikës bashkëkohore. Tetova ka potencial për t’u shndërruar në një pikë takimi të artistëve vendas dhe ndërkombëtarë, duke e vendosur edhe muzikën xhaz si një nga segmentet artistike që i ka munguar qytetit tonë, por edhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, nëpërmjet festivalit synojmë të krijojmë një hapësirë artistike edukative muzikore, ku nëpërmjet performancave cilësore dhe shkëmbimeve kulturore, do të kultivohet një ndjeshmëri më e madhe ndaj muzikës xhaz, por edhe do arrihet gjallërim i jetës kulturore të qytetit.

Portalb.mk: Kush janë artistët pjesëmarrës dhe si u zgjodhën ata?

Lejla Halimi Lumani: Nëse flasim për pjesëmarrësit ndër vite, kemi një laramani të jashtëzakonshme për kaq vite sa ekziston festivali. Artistët pjesëmarrës në festival kanë qenë nga kontinente dhe kombësi të ndryshme, nga Peru-ja dhe Brazili, Evropa (Franca, Gjermania, Italia, Austria, Bullgaria, etj), Alzhiri e Maroko-ja, Turqia, e deri tek artistët vendas dhe artistët shqiptar të cilët veprojnë në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë. Është me të vërtetë fascinante për një kohë aq të shkurtër të arrihet një sukses i këtillë, me aq shumë artist pjesëmarrës mbarë botërorë. Përzgjedhja e artistëve gjatë këtyre viteve është bërë mbi të gjitha duke e studiuar mirë kërkesën e publikut nga njëra anë dhe nga ana tjetër përshtatja e asaj kërkese me vendosjen në skenë të projekteve dhe artistëve kualitativ dhe të vlerësuar lartë. Duke qenë se në ambientet tona muzikore më së shumti dominon muzika popullore, deri tani, stili etno-jazz është më i preferuar nga publiku jonë, mirëpo, për të krijuar kontrast dhe për t’i mundësuar publikut edhe stile të reja dhe jokonvencionale, ndonjëra nga netët e festivalit sjell edhe stile avangarde të xhazit.

Portalb.mk: Si e shihni rolin e këtij festivali në jetën kulturore të Tetovës?

Lejla Halimi Lumani: Mbi të gjitha, roli i këtij festivali për qytetin tonë është të nxisë pasurimin dhe krijimin e diversitetit artistik në jetën kulturore të Tetovës. Duke qenë se xhazi llogaritet si një stil artistik revolucionar, si një gjuhë e shprehjes së lirisë dhe improvizimit, mund të krijojë edhe ura lidhëse ndërmjet kulturave (sepse ne jetojmë në një hapësirë ku këto ura janë tejet të nevojshme për mirëqenie kolektive), por edhe brezave të ndryshëm dhe stileve artistike. Nëpërmjet koncerteve të cilat kanë qenë pjesë e festivalit, shpeshherë qyteti jonë është vendosur në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme artistike të Ballkanit, gjë që ndikon pozitivisht në njohjen e qytetit si një nga qendrat më të preferuara për muzikë xhaz (gjë që plotësisht është anashkaluar nga udhëheqësitë komunale ndër vite, duke mos e llogaritur turizmin artistik si një mjet të dobishëm për zhvillimin e qytetit).

Foto nga arkivi i Jazzfest. Foto: Jazzfest (Facebook)
Foto nga arkivi i Jazzfest. Foto: Jazzfest (Facebook)

Portalb.mk: Çfarë risish do të ofrojë ky edicion? Sa ditë do të zgjasë festivali dhe në cilat hapësira do të mbahet?

Lejla Halimi Lumani: Në këtë edicion arritëm ta kemi në programin e festivalit pianistin dhe muzikantin shqiptar të muzikës xhaz, që jeton dhe vepron në Itali, Markelian Kapidanin, i cili vjen me një bashkëpunim fantastik me këngëtarin e njohur gjakovar, Artan Bakija, të shoqëruar edhe nga një kuartet harkor me instrumentist shqiptar. Risi tjetër e festivalit është iniciativa e re e muzikantëve tanë vendas, të cilët jo rastësisht i kemi vënë në hapje të festivalit, sepse për ne, është jashtëzakonisht e rëndësishme që festivali të iniciojë krijimin e projekteve të muzikës xhaz nga artistët vendas (gjë që mungon në skenat tona). Flasim për projektin AntiSwing, të përbërë nga oboisti tetovar Vullnet Neziri, pianisti jonë Shkëlzen Baftijari, bateristi nga Gostivari, Korab Hajdari, kitaristi nga Gostivari Faton Stafai dhe kontrabasistja Aleksandra Çurukovska.

Pas shumë viteve, në skenën e festivalit rikthehet edhe këngëtarja dhe artistja e njohur e xhazit shqiptar, Elina Duni, e shoqëruar nga kitaristi anglez, Rob Luft, një duo gjithmonë e mirëpritur nga publiku tetovar.

Të tre netët e festivalit do të mbahen në hapsirat e Qendrës për Kulturë në Tetovë, por për detaje të tjera do jeni të informuar nëpërmjet faqeve sociale të festivalit.

Portalb.mk: Çfarë programi të veçantë keni për artistët vendas? A do të ketë aktivitete për të rinjtë dhe studentët e muzikës?

Lejla Halimi Lumani: Po, festivali jonë çdo edicion i ka të hapura dyert për nxënësit dhe studentët e muzikës (dhe jo vetëm aq). Çdo i ri, i cili ka shprehur dëshirë të qëndrojë afër muzikantëve, duke i ndjekur në çdo provë dhe aktivitet tjetër, i është mundësuar një gjë e tillë pa kurrfarë hezitimi. Po ashtu, sa herë që kemi pasur në shitje bileta, për nxënësit e shkollës së muzikës hyrja ka qenë gjithmonë e lirë.

Lidhur me pyetjen tuaj për artistët vendas, mendoj se pak më herët e ceka që pikërisht hapja e festivalit do bëhet me artistët tanë, të cilët do ta prezantojnë projektin e tyre të ri AntiSwing.

Portalb.mk: Si është konceptuar programi muzikor i këtij edicioni-ka një temë ose frymëzim të veçantë?

Lejla Halimi Lumani: Mbi të gjitha, këtë vit fokusi ka qenë drejt muzikës xhaz me etno kombinime, pasi siç e ceka edhe më lartë, jo vetëm që publiku jonë është më tepër i destinuar drejt këtij stili, por edhe vet artistët gjithnjë e më tepër punojnë për projekte të tilla artistike.

Foto nga arkivi i Jazzfest. Foto: Jazzfest (Facebook)
Foto nga arkivi i Jazzfest. Foto: Jazzfest (Facebook)

Portalb.mk: Çfarë pritet të përjetojë publiku ndryshe nga vitet e kaluara?

Lejla Halimi Lumani: Momenti i parë i ri këtë edicion do jetë iniciativa e artistëve vendas, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për formulimin e programit koncertal, me të cilin do sjellin një frymë të re që do hyjë në historinë e muzikës së qytetit tonë. Po ashtu, pianisti Markelian Kapidani mendoj se ka qenë pjesë e mozaikut të paplotësuar të muzikantëve të xhazit shqiptar, të cilët kanë marrë pjesë në festivalin tonë ndër vite. Një moment tjetër i ri mendoj se do jetë pjesëmarrja e këngëtarit Artan Bakija, të cilin do ta shohim në një prizëm krejtësisht tjetër, jo ashtu siç e kemi dëgjuar deri tani vetëm në kuadër të muzikës së pastër popullore.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni përmes festivalit të këtij viti?

Lejla Halimi Lumani: Mesazhi që dëshirojmë të përcjellim përmes festivalit të xhazit të këtij viti është ai i bashkëjetesës dhe fuqisë së artit për të ndërtuar ura ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve të ndryshme. Xhazi është një muzikë që lindi nga përballja me sfidat, por gjithmonë ka folur për liri, kreativitet dhe bashkëpunim-vlera që janë më të rëndësishme se kurrë për shoqërinë tone. Një qytet si Tetova, me të gjithë larminë e tij kulturore dhe gjeneratat e reja plot energji, mund të jetë një pikë takimi ku muzika nuk është thjesht argëtim, por edhe reflektim dhe bashkim.

Portalb.mk: Kush e ka mbështetur edicionin e sivjetmë?

Lejla Halimi Lumani: Këtë vit mbështetja e vetme financiare është nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së, edhe atë në kuadër të konkursit vjetor për financim të projekteve me interes nacional në sfera të caktuara dhe aktivitete të kulturës për vitin 2025, i cili mbështet projekte të cilat janë në funksion të zhvillimit, promovimit dhe afirmimit të kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një ndihmë tjetër për festivalin është edhe bashkëfinancimi i sallës koncertale të Qendrës për Kulturë për njërën natë të festivalit me të njëjtin institucion, si dhe mbështetjen që na jep edhe Europe House – Tetovë, duke na dhënë në dispozicion përdorimin e hapësirave të veta për natën e parë të festivalit. Po ashtu, mbështetje jashtëzakonisht e madhe për festivalin jeni edhe ju gazetarët dhe mediumet, pa të cilët festivali nuk mund të jehojë ashtu siç e meriton.

Afishja e Jazzfest. Foto: Jazzfest (Facebook)
Afishja e Jazzfest. Foto: Jazzfest (Facebook)