“Skupifestival” sjell shfaqje teatrore nga rajoni dhe vendet evropiane

Në Shkup nga data 5 deri më datën 10 tetor do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skupi Festival”. Edhe kësaj radhe publiku teatërdashës do të ketë mundësi të shoqërohet me shfaqje dhe trupa teatrore nga rajoni dhe vendet tjera të Evropës, njofton Portalb.mk

FNT' Skupi Festival''- edicioni XVII- Arbri - Kosova
FNT’ Skupi Festival”- edicioni XVII- Arbri – Kosova

Hapja solemne e edicionit të XVII me radhë do të bëhet në orën 20:00 në hapësirat e Teatrit Shqiptar të Shkupit. Të gjitha shfaqjet do të luhen në këtë hapësirë duke filluar në po të njëjtën orë të hapjes. Drejtor i festivalit është Muzbajdin Qamili, drejtor artistik Osman Ahmeti dhe organizator: Xhaner Mushiç. Festivali çdo vit ka një moto identifikuese, motoja e sivjetme është ” Vezullim në teatër”

Nga numri i madh i shfaqjeve që kanë aplikuar për tu bërë pjesë e festivalit për këtë edicion, janë selektuar pesë shfaqje që vijnë nga vendet: Kosova, Turqia, Franca, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, ndërsa si risi në këtë edicion vjen performanca e cila do të realizohet përmes një punëtorie të udhëhequr nga regjisorja Tea Begovska me temën “Shtrëngatë dhe Zhbirim”.

Këtë vit po ashtu, nga nata e parë do të ketë një ekspoze me afishet e shtatëmbëdhjetë edicioneve të FNT “Skupifestivalit”.

Në lidhje me organizimin dhe shfaqjet konkurruese në këtë festival drejtori Osman Ahmeti për Portalb.mk theksoi: “Këtë vit “Skupifestival” do të organizohet aty edhe ku lindi para 17 viteve në Teatrin Shqiptar të Shkupit, në vitin 2007. Nën vezullimin teatror “Skupifestival”  këtë herë sjell shfaje si “Orfeu” në regji të Jernej Lorencit nga Teatri Kombëtar “Ivan Vazov”  i Sofjes, shfaqje e cila ka rrëmbyer të gjitha çmimet kryesore teatrore në Bullgari. Kjo shfaqje mban vulën e një ansambli të madh por edhe një regjisori  që është një nga emrat më të spikatur të teatrit evropian. Pastaj shfaqjen “I bërë në copa”  nga Teatri i Pavarur “La Belle Meunière” nga Franca. Një  shfaqje që ka pasur kritika të shkëlqyeshme si dhe suksese të theksuara në festival të ndryshme”- shton ai.

FNT' Skupi Festival''- edicioni XVII- Nën kala- Turqia
FNT’ Skupi Festival”- edicioni XVII- Nën kala- Turqia

Duke pasur parasysh që është një festival me traditë që gati po përmbyll dekadën e dytë sigurisht edhe trajtimi nga institucionet kulturore duhet të jetë dinjitoz duke përmbushur kërkesat dhe nevojat që ka festivali, por realiteti është zhgënjyes edhe për drejtorin artistik Osman Ahmeti, i cili po ashtu thekson se: “Skupifestival” këtë vit kalon edhe moshën minorene dhe së shpejti hyn në moshën madhore nëse mund ta transformojmë në moshën e njeriut. Mirëpo, kurrsesi ky festival nuk sheh një përkujdesje më ndryshe nga ana e mbështetësit të tij kryesor Ministrisë së Kulturës. Përkundrazi madje ka edhe rënie. Ne duhet ta themi hapur, nuk kemi atë mbështetje që kishim nga themelimi dhe nga dekada e parë e festivalit. Edhe pse mund ta merrni me mend se sa kanë ndryshuar çmimet e akomodimin, e ushqimit, e mëditjeve, e të drejtës së autorit, e transportit, etj.  Ky është një problem që kemi has me vite me drejtuesit e Ministrisë së Kulturës. Shpresojmë që në vitet e ardhshme kjo gjë të ndryshohet në të mirë të mbarëvajtjes së festivalit. Ndërsa, sa i përket Qytetit të Shkupit nuk ia vlen as të përmendet, atë ka një vit që nuk kanë nxjerr rezultatet e konkursit për vitit 2023, ndërsa këtij viti i kanë ngelur edhe 3 muaj. Është  për të ardhur keq se si trajtohet kultura dhe manifestimet kulture nga ana drejtuesve të këtij qyteti.  Por Festivali “Skupifestival” do vazhdojë rrugëtimin e tij edhe në të ardhmen, gjithmonë duke kërkuar diçka të re dhe të vlerësuar në fushën e teatrit. Shpresojmë të kemi mbështetje nga institucionet që thirren për këtë gjë, që janë aty për kulturën edhe pse në të kaluarën jo të largët kemi pasur pikërisht pengesa jo të vogla nga ana  njerëzve që janë aty  për kulturën”- përfundon ai.

FNT' Skupi Festival''- edicioni XVII- I bërë në copa
FNT’ Skupi Festival”- edicioni XVII- I bërë në copa

Vështirësitë financiare që ka ky festival dhe ankesat në lidhje me buxhetin e vogël në proporcion me kërkesat e shumta shpresojmë të tejkalohen edhe pse, këto vështirësi fare nuk janë të dukshme te publiku i cili do të ketë mundësi të shoh shfaqje nga vendet evropiane pa prerë biletë aeroplani dhe biletë teatri.

Biletat janë në shitje dhe kushtojnë 200den.

Shfaqjet do t’i ndiqni sipas kësaj rrjedhe:

E Enjte  05.10.2023

ARBRI

Teatri Oda Prishtinë, Kosovë

Autor: Lirak Çelaj

Regjisor: Lirak Çelaj

Premte  06.10.2023    20:00

NËN KALA

Hulumtime mbi teatrin fizik

Autor: Villiam Shekspir

Adaptuar nga : Pinar Akkuzu & Gülden Arsal Yavuz

Regjia : Guray Dincol

E Shtunë  07.10.2023

I BËRË NË COPA

Teatri La Belle Meunière, Francë

Autor, regjisor si dhe në role: Marguerite Bordat, Raphaël Cottin dhe Pierre Meunier.

Е Diel  08.10.2023  

SHTRËNGATË DHE ZHBIRIM

Punëtori nga  Tea Begovska

E Hënë  09.10.2023  

TRAMVAJI I QUAJTUR DËSHIRË

Teatri i Luftës Sarajevë, B&H

Autor: Tenesi Villiams

Regjia dhe Luajnë: Dina Mushanoviç, Alban Ukaj, Igor Skvarica, Matea Mavrak dhe Noa Jugo.

E Martë  10.10.2023    20:00

ORFEU

Teatri Kombëtar “Ivan Vazov” , Sofje Bullgari

Dramaturg: Matich Starina

Regjisor: Jernei Lorenci