Situata e inflacionit po monitorohet dhe nëse është e nevojshme do të merren masa, tha Mickoski

Qeveria do ta monitorojë situatën gjatë këtij muaji dhe më pas, nëse ka nevojë, do të miratojë masa ekonomike të synuara për uljen e inflacionit. Këtë e njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve se kur mund të priten masa ekonomike, duke pasur parasysh se norma e inflacionit në nivel vjetor është 4.8 përqind, transmeton Portalb.mk.

Sipas Mickoskit, situata po ndiqet me kujdes dhe po shqyrtohen masa të ndryshme. Ai tha se inflacioni mesatar në katër muajt e parë të vitit është nën 4.5 për qind dhe, siç u shpreh ai, “është një nga më të ulëtit, në mos më i ulëti në rajon”.

“Nga analiza jonë, konkretisht për inflacionin e muajit maj, faktori kryesor që ka bërë që ai të arrijë në 4.7 përqind në nivel vjetor janë dy sektorë, përkatësisht dy grupe produktesh. Këto janë shërbimet e transportit, të cilat kanë rritje dyshifrore, mbi 10 përqind, si dhe alkooli, cigaret dhe produktet e duhanit, të cilat janë afër rritjes dyshifrore. Për këto kategori, sinqerisht nuk do të dëshiroja të zbatoja masa”, tha Mickoski.

Ai konsideron se ndoshta nevojiten masa edhe më të rrepta, pasi, sipas tij, qëllimi është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve.

“Prandaj, për pijet alkoolike, duhanin, produktet e duhanit dhe cigaret nuk ka nevojë për asnjë masë dhe po e themi që tani se në këtë sektor nuk do të ketë masa”, shtoi ai.

Sa i përket sektorit të transportit, Mickoski theksoi se Qeveria tashmë po zhvillon bisedime me transportuesit.

“Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga transporti ajror për shkak të çmimit të lartë të vajgurit të aviacionit (kerozinit), i cili është dyfishuar. Kështu që këtu mund të ndërhyjmë sërish në pjesën e taksave”, tha ai.

Dje, Enti Shtetëror i Statistikave publikoi raportin për indeksin e kostos së jetesës për muajin maj, ku thuhet se ka pasur rritje prej 4.8 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gjithashtu u publikua se indeksi i çmimeve me pakicë është rritur me 5.6 përqind.

Sot, nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë u drejtuan kritika ndaj Qeverisë dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, duke i akuzuar për menaxhim të dobët të ekonomisë dhe rënie të standardit jetësor të qytetarëve. Nga partia thanë se pretendimet për sukseset e supozuara ekonomike janë plotësisht të pavërteta.