Sindikata e pavarur e policisë kërkon që fushatat politike të realizohen jashtë institucioneve

Sindikata e pavarur e policisë kërkon që politika dhe fushatat politike të realizohen jashtë institucioneve, ndërsa punëtorët të mos keqpërdoren për qëllime politike. Reagimi i sotëm i Sindikatës së Pavarur të Policisë vjen pas vizitës së djeshme të paparalajmëruar të kryeministrit teknik, Talat Xhaferi në SPB Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i sindikatës, Goce Dellçev, në konferencën e sotme tha se, kryeministri teknik dje ka bërë precedent kur, siç tha Dellçevi, ka hyrë në mënyrë të pautorizuar dhe ka xhiruar në mënyrë të paautorizuar të punësuar që kanë kryer detyrat e tyre të punës në SPB Tetovë.

Ai kërkoi që, ministri dhe zëvendës ministri shtesë i Punëve të Brendshme të dalin në mbrojtje të të punësuarve.

“Të reagojnë dhe t’i parandalojnë presionet ndaj tyre, siç do t’i dëshmonin në vepër synimet deklarative për të cilat u zotuan që në ditën e parë nga qeveria teknike”, tha Dellçev.

Kryeministri teknik, Talat Xhaferi dje vizitoi pa paralajmërim sektorin e Punëve të Brendshme të Tetovës, ku ka pritje të gjata, tollovi dhe shumë qytetarë të cilët prisnin radhë për të bërë ndryshimin e dokumenteve personale. Pati edhe tensione midis tij dhe të punësuarve, Xhaferi tha se do kërkojë përgjegjësi nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij.