Siljanovska takoi Radevin dhe krerë të tjerë të vendeve anëtare, në fokus eurointegrimet
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe presidenti i Bullgarisë Rumen Radev u takuan në Baku të Azerbajxhanit, ku shkëmbyen mendime për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje, transmeton Portalb.mk.
Radev theksoi se të dyja palët mund të vendosin “ton të bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë” dhe se marrëdhëniet miqësore janë të një rëndësie kyçe për stabilitetin e rajonit.
Siljanovska u pajtua me qëndrimet e tij, duke shprehur besimin se së bashku mund të përmirësojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
Ata theksuan rëndësinë e lidhjeve kulturore midis dy kombeve, duke e lidhur suksesin e këngëtarëve maqedonas dhe bullgarë të operës si shembull i mirëkuptimit të ndërsjellë.
Siljanovska theksoi se vizita e fundit në Bullgari ishte e suksesshme dhe se nisma të ngjashme duhet të ketë edhe në të ardhmen.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, Siljanovska i ofroi Radevit një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se “dyert në Shkup janë të hapura” dhe se shpreson në bisedime të ardhshme që do të kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy kombeve.
Krahas Radevit, presidentja Siljanovska Davkova, pati takim edhe me kryeministrin e Republikës së Çekisë, Petr Fiala.
Në takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes dy vendeve, ku fokusi i bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian.
Presidentja Siljanovska Davkova shprehu vendosmërinë e palës maqedonase për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe forcimin e partneritetit të fortë me Republikën Çeke, si në nivel politik bilateral dhe multilateral, ashtu edhe në sferën e bashkëpunimit ekonomik.
Presidentja Siljanovska Davkova falënderoi për mbështetjen parimore dhe konsekuente çeke për integrimet evropiane të Maqedonisë, duke e vlerësuar Çekinë si partner të rëndësishëm dhe përkrahës të fuqishëm të procesit të zgjerimit të BE-së.
Në takim, presidentja Siljanovska Davkova theksoi nevojën që BE-së të jetë e qartë dhe e palëkundur në strategjinë e saj për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor, duke mos lënë vend për paqartësi.
Takimet u zhvillua në margjinat e Samitit të Ndryshimeve Klimatike në Baku, ku marrin pjesë liderë të shumtë botërorë.
Ndryshe, presidentja e KE-së Ursua von der Leyen, gjatë një vizite në Shkup tha se Maqedonia e Veriut duhet t’i zbatojë ndryshimet kushtetuese që të mund të ecë përpara në rrugën e saj eurointegruese.
Marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje u përkeqësuan, pasi pas vizitës së fundit të presidentes maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje, ajo ishte fotografuar së bashku me kolegun e saj bullgar Rumen Radev pa flamurin maqedonas, por vetëm pranë flamurit të BE-së dhe Bullgarisë.
Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.