Siljanovska-Davkova: Ilindeni na obligon të jemi trashëgimtarë të denjë të paraardhësve tanë të lavdishëm
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u dërgoi një mesazh urimi qytetarëve me rastin e 2 Gushtit – Ilindenit, Ditës së Republikës, duke theksuar se kjo datë është “dita më e shenjtë e Maqedonisë” dhe simbol i luftës shekullore për liri dhe shtetësi, shkruan Portalb.mk.
Në mesazhin e saj të urimit, Presidentja thekson se më 2 gusht 1903, ideja e Republikës u realizua përmes Republikës së Krushevës, dhe në vitin 1944, me Sesionin e Parë të KAÇKM-së, u realizua e drejta e popullit të Maqedonisë për shtetin e vet kombëtar në të cilin garantohen të drejtat e komuniteteve pakicë.
-Në Ilinden, siç thekson ajo, shoh shkëndijën e zjarrit revolucionar i cili ndriçoi rrugën e partizanëve drejt qëllimit fillestar – lirisë, deklaron Siljanovska-Davkova, duke shtuar se Ilindeni është personifikimi i një dëshire, vendosmërie, këmbënguljeje dhe guximi fillestar për t’u përballur dhe për të pranuar sakrificën personale si të pashmangshme!
Ajo thekson se eposi i Ilindenit është një dramë popullore.
Përmes faqeve të përgjakshme të historisë së vështirë, të shkruara me mendimin e Delçevit, vizionin republikan të Karevit, vetëmohimin e Pitugulit, shpirtin tribunal të Çentos dhe veprat e shumë heronjve të njohur dhe të panjohur, të përmbytura me lumenj lotësh, u ndërtua dhe u formësua Republika e Maqedonisë. Ilindeni na detyron të jemi trashëgimtarë të denjë dhe të përgjegjshëm, dhe jo vetëm pasardhës mirënjohës të paraardhësve të lavdishëm. Kush, nëse jo ne, do të jetë kujdestari i besëlidhjes së Ilindenit? Kur, nëse jo tani, do ta justifikojmë besimin e popullit të Ilindenit dhe Asnomit? Çfarë lloj Republike do t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë të dashur, thekson Siljanovska-Davkova.
Në fjalimin e saj, Presidentja u thotë qytetarëve se pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, politike, partiake apo tjetër, duhet të zgjojmë ndërgjegjen dhe vetëdijen e Ilindenit dhe Asnomit, duke hyrë në një luftë të pashmangshme dhe urgjente për republikën tonë të përbashkët evropiane, demokratike, si shtet ligjor i bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe lidhjeve dhe frenave efektive midis degëve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, i vendosur për të mposhtur dhunën, korrupsionin dhe krimin, me një administratë kompetente, etike dhe efikase, një shoqëri civile të zhvilluar të përfshirë në procesin e vendimmarrjes dhe gazetari objektive, pa kompromis në mbrojtjen e të mirës së përbashkët.
– Le ta ndërtojmë Maqedoninë si një shtëpi për qytetarë të lumtur. Gëzuar Ilindenin, thotë Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në mesazhin e saj të urimit me rastin e Ditës së Republikës.