Si rekrutoi inteligjenca ruse të burgosur për luftën në Ukrainë

Agjencia e inteligjencës ushtarake ruse (GRU) ka mbikëqyrur rekrutimin e të burgosurve në njësitë luftuese, të njohura si “Storm Z”. GRU-ja po ashtu ka financuar këto njësi dhe ka mbledhur informacione për viktimat, raporton Systema e Radios Evropa e Lirë në dokumentarin e fundit hulumtues të titulluar: “Kasaphana e Fantazmave: Si luftojnë të burgosur rusë në Ukrainë”.

Projekti për të rekrutuar të burgosur për luftën në Ukrainë nisi verën e vitit 2022 – pikërisht atëherë kur organizata private mercenare, Wagner, nisi rekrutimin e të burgosurve në radhët e saj.

Por, deri në shkurt të vitit 2023, Ministria ruse e Mbrojtjes u bë entiteti i vetëm përgjegjës për dërgimin e të burgosurve në frontet e luftës.

Pjesa e menaxhimit operacional të njësive “Storm Z” u bë nga njësitë brenda Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë.

Dy njësi ushtarake nga Garda e 8-të e Ushtrisë, së bashku me Qendrën për Trajnim dhe Dislokim të Njësive Sulmuese dhe Përforcimeve, ishin përgjegjëse për trajnimi e luftëtarëve dhe administrimin e dokumentacionit, përfshirë edhe të dhënat financiare.

Kjo qendër, e cila zhvilloi taktikat që përdoren nga njësitë sulmuese të përbëra nga të dënuarit, u krijua brenda Grupit të Bashkuar të Forcave, i cili shërben si qendër komanduese e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Fillimisht, kjo qendër u udhëhoq nga gjenerali Sergey Surovikin dhe aktualisht drejtohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov.

Një tjetër qendër komanduese për “Storm Z” është GRU-ja.

Systema ka siguruar dokumente që tregojnë se kontratat e nënshkruara nga të burgosurit kanë një klasifikim të veçantë të fshehtësisë dhe ruhen në një arkiv të posaçëm të GRU-së.

Informacioni për të burgosurit e vrarë në luftë i dërgohet zyrës së inteligjencës, Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm (GU GS, emërtimi modern për GRU-në). Ky informacion, dërgohet nga Garda e 8-të e Ushtrisë përmes kanaleve të sigurta të komunikimi.

“Mbështetja financiare dhe përpunimi i pagesave të ndryshme për vullnetarët e kompanisë sulmuese [Z] u janë besuar njësisë ushtarake 45807, me bazë në Moskë”, thuhet në një nga dokumentet, të nënshkruar nga kolonel Sergey Ivanov i Gardës së 8-të.