Si ranë në duart e krijuesve të softuerit spiun “Predator” dokumentet e klasifikuara të agjencive të kundërzbulimit të Maqedonisë dhe Greqisë

Dokumente me përmbajtje të klasifikuar të krijuara nga ana e shërbimeve sekrete të Maqedonisë së se Veriut dhe greke janë shpërndarë nga kabineti i kryeministrit grek me anë të kompanisë private “Inteleksa”, të cilët janë kreatorë të softuerit spiun “Predator”, me shumë gjasa pa dijeninë e palës maqedonase. Bëhet fjalë për një draft memorandum për bashkëpunim që asnjëherë nuk ka qenë i nënshkruajtur, por delegacione të Agjencisë Operative Teknike të Maqedonisë (AOT) dhe Agjencisë nacionale greke të kundërzbulimit (EUP) më kujdes e kanë ruajtur në Selanik në vitin 2022, shkruan mediumi investigativ IRL, transmeton Portalb.mk. Dëshira e qeverisë greke ka qenë që të sigurojë një bazë ligjore për përdorim të softuerit dhe për këtë si më të përshtatshme u janë dukur reformat në shërbimet sekrete që i ka bërë Maqedonia dhe kështu e formoi AOT-në. Mirëpo, në fakt, pas kësaj ka qëndruar një përpjekje që të sigurohet një formë legale për përdorimin e “Predatorit” pasi Greqia u akuzua se ka ndjekur gazetarë, aktivistë dhe opozitarë në mënyrë jolegale me softuerin e krijuar edhe në Maqedoni.

Kompania e Tal Dilijan zhvilloi dhe shiti një softuer spiun Predator në Greqi dhe në Maqedoni dhe deri tani dihej vetëm kaq. Ajo që deri tani nuk e kemi ditur është se Agjencitë shtetërore të dy shteteve janë përpjekur të bashkëpunojnë në lidhje me këtë çështje dhe thuajse kanë nënshkruar kontratë, por e njëjta është “sabotuar” kur në vitin 2022 plasi skandali botëror me keqpërdorimet e softuerit spiun në të cilin ishte e përfshirë edhe Greqia. Gazetarët e Inside Story dhe IRL e zbuluan ekzistencën e një kanali të hapur  të komunikimit midis shefit të kabinetit të kryeministrit grek, Grigoris Dimitrijadis dhe firmës Inteleksa – shitësi i softuerit spiun Predator që i ka infektuar ose është përpjekur t’i infektojë telefonat celularë të gazetarëve, politikanëve, drejtorëve grekë, një pjese të të punësuarve në sistemin e sigurisë, që kanë qenë shënjestër e përgjimeve legale por joetike nga ana e shërbimit sekret grek.

Kompania që e krijoi softuerin famëkeq spiun Predator ka pasur qasje deri te dokumentet e klasifikuara të shkëmbyera midis shërbimeve sekrete maqedonase dhe greke, me shumë gjasa pa dijeninë e palës maqedonase. Gazetarët e Inside Story nga Athina dhe IRL nga Shkupi patën mundësi të shohin një draft memorandum për bashkëpunim midis Agjencisë greke të inteligjencës (EIP) dhe AOT-së maqedonase të përpiluar në mars të vitit 2022 në Selanik. Sipas burimeve të RMV në institucione, ideja ka ardhur nga Greqia e cila kryesisht ka pasur për qëllim të ndihmojë që shërbimet greke të reformohen sipas shembullit të Maqedonisë dhe praktikës së AOT-së relavitisht të re. Memorandumin e kanë përpiluar ish drejtori i shërbimit sekret grek, Panagiotis Kantoleon dhe drejtori maqedonas i AOT-së, Zoran Angellovski. Deri në marrëveshje finale nuk kanë arritur asnjëherë, por gazetarët e Inside Story nga Athina do të shohin korrespondenca elektronike në të cilat zbulohet se draft memorandumi është ridërguar nga kabineti i kryeministrit grek deri te Inteleksa për shqyrtim – pa dijeninë e palës maqedonase.

Kjo gjë e hap çështjen mbi motivet e vërteta të palës greke që kanë qenë në drejtim të ndihmës që në mënyrë ligjore të forcohen operacionet e kompanisë Inteleksa në Greqi. Qeveria greke e Micotakisit u akuzua se e ka përdorur softuerin tepër invaziv spiun Predator që t’i ndjekë komunikimet e gazetarëve, aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës, që rrjedhoi me hetime parlamentare, nacionale dhe evropiane.

Hakerë, sulm kibernetik, foto: Mika Baumeister/Unsplash
Hakerë, sulm kibernetik, foto: Mika Baumeister/Unsplash

 

Modeli i Maqedonisë për praktikë greke

Për dallim nga EUP-ja, AOT-ja nuk është shërbim sekret, por fryt i përvojave të dhimbshme nëpër të cilat kaluan qytetarët e Maqedonisë gjatë skandaleve të përsëritura me ndjekje. Skandali i fundit ndodhi gjatë administratës së Nikolla Gruevskit, kur më shumë se 20.000 persona u vunë nën mbikëqyrje midis viteve 2008 dhe 2015. Shënjestrat ishin aktivistë civilë, politikanë të të gjitha partive, gazetarë, diplomatë dhe biznesmenë.

Pas rënies së Gruevskit, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian e detyruan qeverinë maqedonase që të formojë Agjenci teknike – politikisht neutrale, duke informuar para parlamentit që të merret me kërkesat e shërbimeve të inteligjencës, policore dhe doganore për ndjekjen e qytetarëve të vendit, shkruan mediumi investigativ IRL, transmeton Portalb.mk. Korniza institucionale në Maqedoni, gjithashtu lejon përdorimin e softuerit spiun me – “të paktën në letër” – masa të ndryshme mbrojtëse kundër ndonjë keqpërdorimi eventual.

Dëshira e qeverisë së Micotakis që ta legalizojë përdorimin e një softueri spiun, e shprehur në gjysmën e dytë të vitit 2020, në fakt erdhi pas testimit pilot të softuerit spiun Predator, i cili sipas Inside Story, veçse ka filluar në Greqi prej në Gusht të vitit 2019, së shpejti pas ardhjes së Demokracisë së re në qeveri.

Kur filluan kontaktet midis EUP-së dhe AOT-së, Inteleksa veçse ishte gjashtë ose shtatë muaj e pranishme në Greqi. Është themeluar në mars të vitit 2020, ndërsa domenet e parë të rrejshëm që imitojnë ueb faqe të njohura greke – nëpërmjet të cilave i kanë infektuar pajisjet celulare të individëve në Greqi janë krijuar deri në korrik të vitit 2020.

E dimë se gazetari Tanasis Kukasis ishte një nga shënjestrat e para të Predatorit në listën e gjatë të emrave. Është targetuar më 31 korrik të vitit 2020, me sqarim se EUP i ka përgjuar bisedat e gazetarit për shkak të “sigurisë kombëtare”.

Siç edhe zbuluan së fundmit “Hulumto Evropën” dhe “Reporters United”, qeveria e Micotakis angazhohej për përdorim të softuerit spiun anembanë Evropës kundër gazetarëve – për shkak të çështjeve lidhur me “sigurinë kombëtare”.

Memorandumi sekret për bashkëpunim dhe shkëmbim të informacioneve të klasifikuara midis EIP-së dhe AOT-së

Burime që kanë njohuri të mira mbi përmbajtjen e komunikimet midis Athinës dhe Shkupit për Inside Story dhe IRL thanë se takimi i parë në nivel shefash midis EIP-së dhe AOT-së është mbajtur në fillim të vitit 2021. Pastaj  ka vijuar takim i AOT-së me ministrin grek për menaxhim digjital, Kirijakos Pjerakakis në verën e vitit të njëjtë në Athinë. I njëjti burim konfirmoi se në këto takime ka qenë i pranishëm edhe Grigoris Dimitrijadis. Në shkurt të vitit 2022, në Selanik është mbajtur edhe një takim midis Kontoleonit dhe Angellovskit, që rezultoi me përpilimin e draft memorandumit midis shefave një muaj më pas, në mars të vitit 2022.

“Dy Agjencitë do t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që të ruhet si i klasifikuar ekzistimi i këtij memorandumi”, thuhet në draft-marrëveshjen në të cilin patën qasje gazetarët e Inside Story dhe IRL.

“Bashkëpunimi do të menaxhohet nga krerët e të dy palëve”, shkruan në draftin që daton nga marsi i vitit 2022, një muaj para se Inside Story të zbulojë se telefoni i gazetarit Tanasis Kukakis është infektuar më softuerin spiun Predator.

EIP-ja dhe AOT-ja do të bashkëpunojnë dhe do të shkëmbejnë informata të klasifikuara dhe jo të klasifikuara në bazë të marrëveshjes së përbashkët si vijon:

  1. Palët e përfshira do të punojnë bashkërisht që ta përmirësojnë zhvillimin profesional të sigurisë kibernetike dhe të ndërtojnë një bazë të aftësive për siguri kibernetike, duke përfshirë edhe iniciativa eventuale lidhur me njohje të ndërsjellë të kualifikimeve dhe dallimeve.
  2. Do të vendosin dhe mbajnë dialog operativ dhe do t’i identifikojnë mundësitë për bashkëpunim që ta përmirësojnë aftësinë e të dy palëve për t’i mbrojtur qytetarët e vetë nga veprime dashakeqe në hapësirën kibernetike.
  3. Kërkesat për informata mund të parashtrohen nga secila palë, ndërsa përgjigja do të jetë në bazë të nivelit të sigurisë dhe do tu nënshtrohet rregullave dhe dispozitave që janë në fuqi për zbulimin e informatave të klasifikuara.
  4. Kërkesat për informata do të jenë vetëm për teknologji të lidhura me kërcënime kibernetike, terrorizëm, aktivitete kriminale, të cilat pjesëmarrësit i konsiderojnë si kërcënim për interesat e tyre nacionale.
  5. Në rast se identifikohet një kërcënim direkt nga cilado palë sipas këtij Memorandumi për mirëkuptim, Agjencitë do t’i shkëmbejnë informatat sa më shpejt të jetë e mundur dhe do ta ndihmojnë partnerin që ta eliminojë kërcënimin në favor të të dy vendeve.
Foto ilustrim nga Portalb.mk
Foto ilustrim nga Portalb.mk

Ekzistimin e kësaj draft marrëveshjeje për siguri kibernetike midis EIP-së dhe AOT-së e konfirmoi shefi i mëparshëm i EIP-së, Panagiotis Kontoleon, në dëshminë e tij pas dyerve të mbyllura para komisionit hetimor parlamentar grek më 15 shtator të vitit 2022. Ai, me gjasë ka deklaruar se qeveria greke është e informuar për këtë marrëveshje.

Ky pohim i tij mund të vërehet edhe nga draft memorandum në të cilin kishin qasje gazetarët, i cili përveç se është i adresuar deri te Kontoleon, është dërguar edhe deri te kabineti i kryeministrit grek, shkruan mediumi investigativ IRL, transmeton Portalb.mk. Shefi i kabinetit të kryeministrit në atë kohë ka qenë nipi i Kirjakos Micotakis, Grigoris Dimitrijadis, i cili u shkarkua nga ajo pozitë pas shpërthimit të skandalit se është ndjekur në mënyrë të paligjshme lideri aktual i PASOK-ut, Nikos Androlakis. Burime nga gazetarët që dëshironin të mbeten anonimë konfirmojnë se në takimin e vitit 2022 në Selanik midis delegacioneve të AOT-së dhe EIP-së ka qenë i pranishëm edhe nipi i kryeministrit grek, Grigoris Dimitrijadis.

Nga AOT-ja maqedonase mohojnë se memorandumi është nënshkruar dhe askush nuk e din se pse grekët do t’i shkëmbenin këto informata me Inteleksa-n. Nga AOT-ja në përgjigjet deri të IRL-ja thonë se në kuadër të kompetencave të tyre është edhe realizimi i bashkëpunimit dhe komunikimit me autoritete vendore dhe të huaja dhe se të tillë janë takimet e mbajtura me udhëheqësinë e Shërbimit inteligjent grek (EIP) në gjysmën e parë te vitit 2022. Pretendojnë se tema e takimeve është shkëmbim i përvojës në pjesën e digjitalizimit të sistemeve për rritjen e sigurisë dhe sigurisë kibernetike, sepse modeli grek është treguar i dobishëm.

“Nuk janë shkëmbyer informata të klasifikuara, dhe as nuk është nënshkruar ndonjë dokument, e as Memorandum për bashkëpunim”, u përgjigjën nga AOT-ja dhe shtojnë se për këto takime dhe rezultatet e tyre është informuar Komisioni parlamentar për zhvillimin e mbikëqyrjes mbi masat për ndjekjen e komunikimeve, si dhe përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Pyetje parashtruam edhe deri te Shërbimi grek i inteligjencës (EIP), si dhe deri te ish shefi i shërbimit, Panagiotis Kontoleon dhe ish shefi i kabinetit të kryeministrit, Grigoris Dimitrijadis, por përgjigje nuk morëm.

Gjatë dëshmisë së tij në shtator të vitit 2022 para komisionit hetimor të parlamentit grek mbi përgjimin, Panagiotis Kontoleon (i cili gjithashtu dha dorëheqje për shkak të aferës Predator), pasi e konfirmoi ekzistimin e draft-marrëveshjes midis EIP-së dhe AOT-së, me gjasë është ngutur të theksojë se EIP nuk ka asnjë lidhje me Inteleksa-n, kompaninë që e shet softuerin spiun Predator. Inside Story dhe IRL panë prova se kjo deklaratë është e pavërtetë.

Draft versioni që e pamë në formë elektronike përmban një gjurmë të vogël por të rëndësishme që dëshmon se Inteleksa jo vetëm që ka lidhje direkte me EIP-në, por edhe me kabinetin e kryeministrit Micotakis. Ky dokument, që duhej të firmoset nga Agjencitë e të dy vendeve, Greqisë dhe Maqedonisë, përmban korrigjime me shkrim nga një funksionar i mëparshëm i Ministrisë izraelite të mbrojtjes, i cili pas demobilizimit ka bashkëpunuar me Inteleksa-n.

Redaktori nga “Inteleksa”

Emri i tij është Nir Ben Moshe. Kur të aktivizohet funksioni “Track changes” te dokumenti elektronik mund të shihet se ai është në rolin e redaktuesit dhe ka lënë vërejtjet e tij në dokument, e një burim i mirëinformuar konfirmoi se draft-dokumenti ka qenë i dërguar deri te Inteleksa.

Duke qenë në disa pozita kyçe shtetërore, Nir Ben Moshe, nuk është ndonjë izraelit i rastësishëm, shkruan mediumi investigativ IRL, transmeton Portalb.mk. Në vitin 2015, ai ka qenë i emëruar si shef i njësisë speciale në Ministrinë e mbrojtjes e njohur si Malmab, e cila është përgjegjëse për sigurinë e Ministrisë së mbrojtjes, industritë izraelite dhe entitetet në Izrael të kyçura në zhvillimin dhe prodhimin e armëve për shkatërrim në masë, si dhe mjetet për mbrojtje nga armët e tilla. Në vitin 2021, Nir Ben Moshe e lëshoi Ministrinë e mbrojtjes së Izraelit dhe u riorientua kah sektori privat.

Establishmenti izraelit i sigurisë, prej ku edhe e ka prejardhjen themeluesi i Inteleksa-s, e akuzoi Tal Dilijanin se i shfrytëzon njohuritë që i ka fituar si komandant i një njësie elite të ushtrisë izraelite për të krijuar kompani që prodhojnë produkte për sulme kibernetike që i infektojnë telefonat celularë. Ai, gjithashtu, është kritikuar se i ka shpërngulur kompanitë e tij në Qipro, e pastaj në Greqi që të evitojë mbikëqyrje nga ana e Ministrisë izraelite të mbrojtjes.

Foto nga <a href="https://unsplash.com/@cbpsc1?utm_source=unsplash&utm_medium=referral&utm_content=creditCopyText">Clint Patterson</a> / <a href="https://unsplash.com/s/photos/hacker?utm_source=unsplash&utm_medium=referral&utm_content=creditCopyText">Unsplash</a>
Foto nga Clint Patterson / Unsplash

 

Sipas dokumenteve të udhëtimit të Nir Ben Moshe, në të cilat kishte qasje Inside Story, ai e ka vizituar Athinën në dhjetë ditët e para të marsit të vitit 2022  dhe ka qenë në Izrael kur i ka bërë korrigjimet e draft-dokumentit midis EIP-it dhe AOT-së në emër të Inteleksa-s. Udhëtimet midis Greqisë dhe Izraelit kanë qenë të shpeshta.

Provë tjetër që e vulos lidhjen afariste të Nir Ben Moshe-së me Inteleksa-n është ajo që, në Prill të vitit 2022, ai udhëton nga Larnaka deri në Athinë me avion privat të lidhur me Tall Dilijan dhe në të cilin, sipas zbulimeve të Inside Story në një hulumtim të përbashkët me Lighthouse  Reports dhe Haarets, teknologjia për mbikëqyrje ka qenë e transportuar nga BE-ja deri në Sudan. Pajisjet janë gjetur në duart e njërit nga grupet më famëkeq paramilitarë në botë, Forcat për mbështetje të shpejtë.

Një agjent i inteligjencës maqedonase që foli me gazetarët e Inside Story-t dhe IRL-së me kusht që të mbetet anonim, deklaroi se nuk e njohin Nir Ben Moshe-në, e as edhe nuk e dinë se pse kopje e draft-dokumentit që duhej të nënshkruhet nga shefat e EIP-së dhe AOT-së gjendet në duart e Inteleksa-s, e madje edhe paska qenë e redaktuar nga ana e një partneri të Inteleksa-s.

“Pala greke përmendi se kanë konsulent, por asnjëherë nuk e përmendi emrin e Inteleksa-s”, thotë agjenti maqedonas i cili insistonte të mbetet anonim.”