Pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, nesër protestojnë veteranët

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nesër do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, raporton Koha.net. Protesta është paralajmëruar në një postimi në rrjetin social Facebook, të kryetarit të OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla.

Në njoftim ndër të tjera thuhet se do të protestohet kundër skandaleve qeveritare. Protesta thuhet se do të nisë në orën 18:00.

“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, thuhet në njoftimin për protestë.

Deputetët e pushtetit, të enjten kanë miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk u garanton pension në vlerë të kësaj page veteranëve të luftës.