Si i përdor Rusia ndryshimet klimatike si armë për të diskredituar Perëndimin

Rusia nuk e përdor krizën klimatike vetëm si një çështje shkencore apo politike, por si një element të strategjisë së saj hibride të ndikimit. Përmes shpërndarjes së dezinformatave, promovimit të teorive konspirative dhe manipulimit të të dhënave, Moska përpiqet të diskreditojë Perëndimin, të minojë kohezionin e tij politik të brendshëm dhe të ngadalësojë procesin e tranzicionit energjetik. Po ashtu, kufizimi rus i të dhënave shkencore për Arktikun pengon monitorimin global të modeleve klimatike, duke krijuar hapësirë për Moskën që të promovojë narrativet e veta dhe të relativizojë ndryshimet klimatike, shkruan Vërtetmatësi.

Ndryshimet klimatike, të cilat përbëjnë një nga kërcënimet më të mëdha të botës moderne, prej kohësh kanë ndalur të jenë vetëm një çështje ekologjike. Në politikën globale, ato po shndërrohen në një mjet për ndikim, manipulim dhe llogari gjeostrategjike. Rusia, si një vend ekonomia e të cilit varet fuqishëm nga karburantet fosile dhe politika e jashtme e të cilit bazohet në taktika hibride, e shndërron çështjen klimatike në një mjet për të diskredituar Perëndimin dhe për të dobësuar politikat e tij.

Varësia energjetike dhe motivet ekonomike pas dezinformatave

Rusia ka një varësi thelbësore ekonomike nga eksporti i gazit dhe naftës. Tranzicioni energjetik i Perëndimit, veçanërisht i Bashkimit Evropian, i cili bazohet në burime të ripërtëritshme dhe reduktim të emetimeve, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për buxhetin rus dhe për pushtetin politik që Moska e nxjerr nga statusi i saj si furnizues energjetik. Prandaj, Kremlini sulmon sistematikisht politikat klimatike të Perëndimit, duke i paraqitur ato si “jo reale”, “të dëmshme” ose “të rrezikshme”.

Në të njëjtën kohë, Rusia promovon “alternativa” të veta si më praktike – gaz natyror, energji bërthamore dhe hidroenergji.

Narrativat e rreme ruse shpërndahen edhe në rrjetet sociale te ne dhe në rajon.

Energjitikët “e gjelbër” kleptokratë grumbullojnë miliona nga subvencionet, ndërsa populli në fund do t’i paguajë faturat me para, shëndet dhe jetë. Kur do të kuptojmë se e gjithë piramida sistematike dhe cirku politik janë në shërbim të interesave globaliste-mizantrope, duke vjedhur dhe shkatërruar më hapur popullin? A do të shkatërrojmë breza derisa të zhdukim veten, apo do të zgjohemi?shkruhet në një postim në gjuhën maqedonase. 

Një postim në gjuhën serbe, i shpërndarë në platformën X, thotë:

Panele diellore në Spanjë në një komplot me diellin e nxehtë. Mot i jugut të Spanjës është shumë i nxehtë për panelet diellore. Ato digjen dhe madje shpërthejnë.

Postimi shpërndan gjithashtu një video ku supozohet se shihen panelet diellore në flakë.

Videoja u publikua edhe nga portali rus “Sputnik”, ndërsa Istinomer.rs ka konfirmuar se pamja e kontestuar nuk kishte asnjë lidhje me valën e të nxehtit këtë vit në Spanjë.

Sipas EUvsDisinfo, me kalimin e viteve, makineria e Kremlinit – FIMI – ka krijuar një numër narrativash rreth tranzicionit strategjik të Evropës nga një ekonomi e bazuar në karbon drejt qëndrueshmërisë. Në këtë kontekst, është pretenduar se energjia e gjelbër është një mashtrim i shtrenjtë, se energjia e ripërtëritshme është dështim, dhe se politikat energjetike dhe klimatike të BE-së janë shkurtpamëse dhe dëmtojnë ekonominë e tyre.

Politikat e Evropës drejt qëndrueshmërisë, profilat pro-ruse në rrjetet sociale i interpretojnë si një përpjekje e Bashkimit Evropian për të krijuar një sistem ku individit i hiqet e drejta për të blerë ushqim sepse ka “shfrytëzuar kufirin ditor të emetimeve të karbonit”.

Vërtetmatës ka demantuar këto informacione dhe ka konfirmuar se BE-ja dhe institucione të tjera punojnë në politika për ushqim të qëndrueshëm, reduktim të emetimeve dhe kufizim të ndikimit të prodhimit të ushqimit mbi klimën. Politikat si “Nga ferma deri në pirun” (Farm to Fork) dhe Marrëveshja e Gjelbër synojnë konsum dhe prodhim ushqimi më të qëndrueshëm.

Një tjetër narrativ i zakonshëm i FIMI-së pretendon se agjenda e gjelbër e BE-së është në fakt një mjet për ngadalësimin e rritjes ekonomike të Jugut Global dhe eliminimin e konkurrentëve të mundshëm ekonomikë. Për shembull, pretendimet se vendet evropiane përdorin “protekcionizëm të gjelbër” për të siguruar që përfitimet nga tregtia të shkojnë vetëm tek ato, dhe akuzat ndaj Francës se përdor çështje mjedisore për të bllokuar importet nga Amerika Latine.

 

Dezinformatat klimatike si një instrument për polarizim politik

Në Poloni, një studim i Defence24 tregon se pjesa më e madhe e dezinformatave klimatike në internet vjen pikërisht nga strukturat propaganduese ruse.

Televizioni Sputnik dhe televizioni Russia Today shpërndajnë dezinformata në masë në Poloni në fushën e klimës. Sa i përket transmetuesve polakë, gjatë periudhës së monitorimit (nga 15 tetor 2021 deri më 15 shkurt 2022), sasia më e madhe e materialeve që përmbanin informacione të manipuluara ose të rreme, ose mjete të përdorura për dezinformata me qëllim, për shembull për të shkaktuar emocione negative te publiku lidhur me mbrojtjen e klimës dhe politikën klimatike, u shfaq në faqet e internetit wPolityce.pl, DoRzeczy.pl dhe në kanalin e lajmeve TVP Infoshkruan analiza e Defence24

Kjo përshtatet me strategjinë më të gjerë të luftës hibride, e përshkruar në dokumentin e Hybrid CoE: 

Aktivitetet e Rusisë për kërcënime hibride, të realizuara paralelisht me luftën e saj ndaj Ukrainës, përbëjnë sfida të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është bërë gjithnjë e më agresive në përdorimin e mjeteve të saj për kërcënime hibride, veçanërisht në rajonin e Detit Baltik, por edhe në vende të tjera. Afërsia e vendeve në rajonin e Detit Baltik me Rusinë dhe Bjellorusinë, së bashku me lidhjet e ndryshme, krijon si dobësi ashtu edhe mundësi për zbulimin e kërcënimeve. Rusia përdor taktika të ndryshme, si dezinformata, sulme kibernetike, presion psikologjik, migracion të instrumentalizuar dhe akte sabotuese, për të ushtruar presion dhe për të destabilizuar këto vende. Megjithatë, pavarësisht synimit të vazhdueshëm, ato tregojnë rezistencë dhe vendosmëri në kundërshtimin e kërcënimeve të tilla, duke ruajtur kohezionin e brendshëm dhe vigjilencën. Aleanca të forta dhe masa proaktive janë të nevojshme për mbrojtje efektive. Megjithatë, Rusia do të vazhdojë të përshtasë taktikat e saj dhe të testojë reagimet, duke rritur potencialisht tensionet. Nga kjo rrjedh, monitorimi i kujdesshëm, kundërshtimi i ndryshimeve në kufijtë e pranueshmërisë, rritja e vetëdijes dhe përmirësimi i aftësisë për të penguar veprimet e kërcënuesve janë të domosdoshme për BE-në, NATO-n dhe vendet e tyre anëtare.

Arktiku: Linjë fronti klimatike dhe arenë gjeostrategjike

Arktiku është një rajon ku ndryshimet klimatike janë më të dukshme, por edhe një rajon ku Rusia ka interesat më të mëdha gjeostrategjike. Në një analizë të Financial Times theksohet se Rusia përdor ndryshimet klimatike për të justifikuar militarizimin e Arktikut dhe për të forcuar ndikimin e saj.

Kufizimi rus i të dhënave shkencore për Arktikun pengon monitorimin global të modeleve klimatike. Kështu krijohet hapësirë për Moskën që të promovojë narrativat e veta dhe të relativizojë ndryshimet klimatike.

Narrativa konspirative: “Arma klimatike” dhe propaganda anti-perëndimore

Një nga mjetet më ekstreme që përdor Rusia janë teoritë konspirative. Mediat ruse dhe përfaqësues zyrtarë herë pas here akuzojnë se Perëndimi posedon “armë klimatike” – teknologji që qëllimisht shkaktojnë katastrofa klimatike.

Ky narrativ është dokumentuar edhe nga Atlantic Council, i cili tregon se si mediat shtetërore ruse shpërndajnë dezinformata se SHBA mund të shkaktojnë tërmete ose përmbytje.

Qëllimi është dyfishtë: të demonizohet Perëndimi para opinionit ndërkombëtar dhe të justifikohet politika agresive e Rusisë si “përgjigje” ndaj kërcënimit perëndimor.

Narrativa të ngjashme janë vërejtur edhe nga Qendra Ukrainase për Siguri Publike, e cila nënvizon se Rusia përdor klimën si pjesë të luftës së saj informative.

Këto taktika kanë pasoja reale për luftën globale kundër ndryshimeve klimatike. Rusia nuk e përdor krizën klimatike vetëm si një çështje shkencore apo politike, por si një element të strategjisë së saj hibride për ndikim. Përmes shpërndarjes së dezinformatave, promovimit të konspiracioneve dhe manipulimit të të dhënave, Moska përpiqet të diskreditojë Perëndimin, të minojë kohezionin e tij politik të brendshëm dhe të ngadalësojë procesin e tranzicionit energjetik.