Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPH) sot ka shpallur nivel të verdhë paralajmërimi për shkak të paralajmërimeve për reshje të dendura dhe rrezikut potencial nga përmbytjet. Nga DPH apelojnë që qytetarët të lëvizin me kujdes pranë lumenjve dhe rrjedhave të përkohshme, sidomos në pjesët juglindore, lindore dhe verilindore të vendit, transmeton Portalb.mk.
Sipas parashikimit të Drejtorisë, sot është aktiv alarm portokalli për reshje të dendura shiu në pjesët lindore të Maqedonisë, ku pritet të bien mbi 35 litra për metër katror. Në zonat malore do të ketë borë, ndërsa në disa vende të larta reshjet do të jenë përzierë shiu dhe bora. Temperatura maksimale do të luhatet nga 3 deri në 9 gradë Celsius. Në Shkup do të mbajë mot i vranët me reshje të herëpashershme shiu, veçanërisht pasdite. Temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 5 gradë.
“Gjatë natës u rritën dukshëm nivelet e ujit në pjesët juglindore, lindore dhe verilindore të vendit. Momentalisht, nivele të larta të ujit ka në basenin e lumit Bregallnicë dhe degët e tij, në basenin e lumit Kriva dhe të lumit Pçinja, si dhe në basenin e lumit Strumicë me degët dhe rrjedhat e përkohshme brenda baseneve të tyre. Gjatë ditës pritet që nivelet e larta të ujit të mbeten në këto basene, dhe në disa vende mund të ketë përmbytje lokale ose grumbullim të ujit”, njofton DPH.
Niveli i ujit është i lartë edhe në lumin Vardar, në pjesën e sipërme të rrjedhës. Në pjesën perëndimore të vendit pritet rritje më e vogël e niveleve të ujit për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve kryesisht bore në malet e kësaj zone.
“Apelojmë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes pranë lumenjve dhe rrjedhave të përkohshme në vend, sidomos në pjesët juglindore, lindore dhe verilindore”, theksojnë nga DPH.
Dje, për shkak shembjes së dheut në një fshat të Tetovës, u kërkua largimi i disa banorëve nga shtëpitë e tyre. Kurse, rrëshqitja e tokës në Vodno të Shkupit sot mblodhi në një takim urgjent koordinues përfaqësuesit e Komunës Qendër, Qendrës për Menaxhim të Krizave dhe përfaqësues të disa institucioneve dhe shërbimeve.