Shumica e të rinjve në RMV qendra rinore panë vetëm përmes videove të fushatave zgjedhore

Qendrat rinore, së bashku me mekanizmat e tjerë që duhet të ofrohen përmes Ligjit për Rininë, po krijohen me shpejtësinë e kërmillit, tregon analiza e Këshillit Kombëtar të Rinisë. Hulumtimi tregon se komunat, edhe pse i kanë tejkaluar afatet e përcaktuara me ligj, nuk janë shumë të interesuara t’u ofrojnë të rinjve shërbime dhe hapësira ku ata mund të mblidhen dhe të vendosin për nevojat e tyre, për kulturën, arsimin apo socializimin, transmeton Portalb.mk nga Pina.

Elena është 17 vjeçare dhe jeton në Sveti Nikole. Asaj i pëlqen poezia, të shikojë dokumentarë edukativë me narracion nga David Attenborough, të mbledhë kaseta të vjetra me muzikë new wave nga vitet ’80, por gjithashtu i pëlqen të kalojë kohë me bashkëmoshatarë dhe njerëz me të cilët ndan të njëjtat interesa. Ajo thotë se për të kjo është një mënyrë për tu relaksuar.

“A e dini që nuk kemi një vend ku mund të mblidhemi me shokët dhe shoqet?! Baret edhe kafenetë unë nuk i konsideroj si vende për takime. Na duhet vend ku mund të shikojmë filma, ku mund të diskutojmë për ekologjinë, teknologjinë ose dashurinë, ku mund të studiojmë së bashku me shokët dhe shoqe pas mësimit. Një qendër adekuate rinore do të zgjidhte shumë nga problemet tona”, tha Elena.

Të njëjtin mendim e ndan edhe Maja 19-vjeçare nga Berova. Nëse prindërit e saj në kohën e tyre shikonin filma, dilnin në mbrëmje dhe merrnin pjesë në tubime të ndryshme shoqërore dhe kulturore, tani ajo thotë se është e privuar nga hapësira ​​për të rinjtë.

“I dëgjoj politikanët që thonë se të rinjtë po largohen nga Maqedonia. E si mos të largohen?! Nuk kemi jetë pas mesnate, as hapësira për të rinjtë. Kryesorja kazinotë dhe kreditë e shpejta punojnë”, tha Maja.

Mungesën e hapësirës për Elenën dhe Majën do të duhej ta plotësonin qendrat rinore të parapara me Ligjin për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, i njohur ndryshe si Ligji për të Rinjtë. Ai u miratua në vitin 2020, ndërsa nëpërmjet tij çdo komunë në Maqedoni kishte për obligim të krijonte dhe mbështeste qendër rinore me 50% deri në 70% të buxhetit të saj. Komunat duhej ta bënin këtë brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Afati përfundoi në janar të vitit 2025, ndërsa shumica e të rinjve qendra rinore panë vetëm përmes videove të fushatave zgjedhore.

“Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë gjithsej 13 qendra rinore, dhe atë në: Qendër, Kumanovë, Likovë, Probishtip, Veles, Kavadar, Manastir, Strumicë, Makedonski Brod, Ohër, Bogovinë, Novaci dhe Gostivar, që është pak më shumë se 16% e komunave. Madje, krahasuar me vitin 2024 ka një qendër më pak “, njoftuan nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë (KRNM), i cili përgatiti raport mbi zbatimin e Ligjit për të Rinjtë për vitin 2025.

Ane Mateska, menaxhere e programit në KRNM, shpjegon se edhe atje ku ato ekzistojnë disa nga qendrat nuk funksionojnë plotësisht sipas standardeve të parapara, sidomos kur bëhet fjalë për programe, kuadër dhe burime të vazhdueshme.

“Në thelb pasqyra nuk dallon dukshëm nga vitet e kaluara, kemi zhvillim të pabarabartë, mbështetje të pamjaftueshme nga komunat dhe problem me qëndrueshmërinë”, theksoi Mateska.

Sipas ligjit dhe standardeve qendra rinore ka vetëm në 8 komuna, pra në 10% të të gjitha komunave në vend. Vetëm 7 prej tyre kanë program për punë, ndërsa 2 komuna nuk kanë ndarë mjete për aktivitetet e qendrës rinore.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk.
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk.

Drejtoresha ekzekutive e Forumit Rinor Arsimor (FRA), Ivona Kuzmanovska, sqaron se qendrat nuk duhet të nënkuptojnë vetëm aktivitete, por edhe shërbim lokal përmes të cilit të rinjtë do të fitojnë qasje në arsim joformal, mbështetje, informacion, mentorim, përfshirje në komunitet, si dhe mundësi për zhvillim personal dhe profesional.

“Në mjediset ku nuk ka shumë mundësi, përveç detyrimeve të tyre të përditshme – shkollës dhe punës – të rinjtë shpesh mbeten pa vend të qëndrueshëm ku mund të organizohen, të marrin mbështetje për idetë e tyre, të zhvillojnë aftësi dhe të marrin pjesë në jetën lokale. Qoftë edhe sikur kjo të nënkuptonte vetëm ekzistencën e një hapësirë ​​fizike”, theksoi Kuzmanovska.

Sipas saj mungesa e qendrave të tilla i prek sidomos të rinjtë nga komunat më të vogla, zonat rurale dhe të rinjtë me më pak mundësi. Për ta, thotë ajo, qendra rinore shpesh mund të jetë mundësia e parë për t’u angazhuar në aktivitete drejt kapitalit social.

“Mund të jenë trajnime, punë vullnetare, orientim në karrierë, aktivitete kulturore dhe edukative, por edhe platforma përmes të cilave ata mund t’i shprehin interesat dhe nevojat e tyre. Kur nuk ekziston kjo lloj hapësire në mjediset në të cilat operojnë të rinjtë ata largohen edhe më lehtë nga proceset, e humbasin besimin për atë se sa interesohen institucionet për to dhe reduktohen në përdorues pasivë të politikave të tyre”, tha Kuzmanovska.

Qendrat rinore janë vetëm pjesë e Ligjit për të Rinjtë

Kur flitet për aktivitete, hapësira dhe shërbime për pjesëmarrjen e të rinjve, pikërisht këto terma duhej t’i mbështeste Ligji për të Rinjtë. Megjithatë, Kuvendi Kombëtar Rinor dhe rrjedhimisht Trupi Kombëtar Këshillimor për Politikat Rinore ende nuk janë krijuar, ndërsa këshilla rinorë lokalë ka vetëm në 24 komuna (29,63% e komunave), që është 4,94% (4 komuna) më pak krahasuar me gjendjen në fillim të vitit 2024.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk.
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk.

 

“Në nivel lokal gjendja edhe më tej mbetet e pabarabartë dhe me përparim të ngadaltë. Disa nga komunat ende nuk kanë interes ose kapacitet për të krijuar mekanizma dhe shërbime rinore, ndërsa tendenca e zvogëlimit të këshillave rinore lokale ndër vite është shqetësuese, që tregon për sfida në qëndrueshmërinë dhe funksionimin e tyre. Krahas kësaj, vetëm një numër i vogël i komunave kanë miratuar strategji dhe plane veprimi rinore lokale për to, ndërsa aty ku ka mekanizma shpesh mungojnë burime të qëndrueshme dhe planifikim i qartë”, theksoi Mateska nga KRNM.

Edhe Kuzmanovska nga FAR është e mendimit se Ligji për të Rinjtë ende po zbatohet më shumë formalisht sesa në mënyrë substanciale. Sipas saj pikë kritike është mosfunksionimi i mekanizmave për pjesëmarrje, pastaj vjen planifikimi lokal, ndërsa e treta është financimi.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk.
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk.

“Posaçërisht shqetësues është fakti që vetëm një numër i vogël i komunave e ndajnë minimumin ligjor prej 0,1% të buxhetit për të rinjtë, ndërsa edhe atje ku përmenden fonde për të rinjtë, në to shpesh përfshihen klube sporti, ngjarje kulturore ose ngjarje të përgjithshme, në vend të mbështetjes së drejtpërdrejtë për pjesëmarrjen e të rinjve, qendrat rinore, këshillat rinorë lokalë dhe programet rinore. Sipas raportit të fundit, vetëm 9 komuna e kanë ndarë minimumin ligjor, ndërsa 13 komuna kanë ndarë fonde për dispozita konkrete të ligjit, si qendra ose këshilli lokal”, tha ajo.

Shqetësuese është edhe mungesa e transparencës dhe koordinimit. Nëse të rinjtë nuk e dinë se kush është zyrtari për të rinjtë, ku mund të drejtohen, si merren vendimet dhe si mund të marrin pjesë, atëherë Kumanovska thotë se sistemi nuk funksionon si shërbim.

“E njëjta gjë vlen edhe për Qendrën Hulumtuese – nëse ekziston institucionalisht, por nuk ka detyrime të qarta hulumtuese dhe rezultate publike, atëherë politikat rinore nuk ndërtohen mbi të dhëna, por mbi supozime”, theksoi ajo.

Nuk është gjithçka aq zi

Por, në Gostivar ekziston qendër që punon me aktivitete rinore. “ICan” u hap në vitin 2021, një vit pas miratimit të Ligjit për të Rinjtë. Në fillim ajo bazohej vetëm në projekt me donacione, ndërsa pas përfundimit të projektit komuna e mori përsipër mbulimin e të gjitha shpenzimeve dhe vetë lokacionit.

“Buxheti vjetor është nga komuna. 2-3 vitet e fundit është mbuluar 100% nga komuna. E di që nuk jemi mësuar me kësi lloj bashkëpunimi, sepse në përgjithësi kemi probleme me institucionet, por me Komunën e Gostivarit kemi bashkëpunim të mirë dhe është një nga pushtetet lokale që i përmbush pothuajse të gjitha nevojat e ligjit”, theksoi Art Spahiu nga “ICan”.

Qendra është e mbushur me aktivitete të ndryshme. Duke filluar nga kurset e TI-së, për digjitalizimin, përmes kulturës dhe artit, deri te aktivitetet për zhvillimin dhe avancimin e të rinjve.

“Qendra jonë është e hapur deri në mesnatë. Ndonjëherë është e hapur 24 orë në ditë. Nuk vizitohet vetëm për aktivitetet, por përdoret edhe si hapësirë ​​e lirë për punë (co-working space). Shërben edhe si leximore, sepse në Gostivar nuk kemi leximore. Kjo vlen posaçërisht gjatë sesioneve të provimeve. Në këto 5-6 vitet e funksionimit ne kemi pasur mbi 35.000 vizitorë”, tha Spahiu.

Edhe në Maqedoninë Jugperëndimore, në Manastir, ka qendër rinore. Në të operon eko-klubi, klubi i artit, klubi digjital, klubi muzikor, por edhe i ashtuquajturi klub GLOW për vajza, ku organizohen aktivitete për zhvillim personal dhe të karrierës, lidership, shëndet mendor, punë vullnetare dhe kampe verore.

“Çdo vit përpiqemi të ofrojmë aktivitete të reja dhe të ndryshme, sipas interesave, nevojave dhe kërkesave të të rinjve, sepse jemi të mendimit se qendra rinore duhet të zhvillohet vazhdimisht së bashku me ta. Bashkëpunimi me Komunën e Manastirit është i mirë dhe i rëndësishëm për funksionimin e qendrës”, tha Millço Duli nga “Sfera” nga Manastiri.

Ata përgjithësisht janë të kënaqur me punën dhe interesin që të rinjtë e tregojnë për qendrën. Megjithatë, ai thotë se gjithmonë ka vend për përmirësim, sidomos në fushën e qëndrueshmërisë financiare afatgjatë, mbështetjes institucionale dhe krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë.

Kërkesa të ngjashme ka edhe Spahiu nga Gostivari. Para së gjithash, thotë ai, mund të përmirësohen financat.

“Personalisht do të kisha dashur të kishte njëfarë mbështetjeje nga Ministria e Rinisë. Ose drejtpërdrejt nga Qeveria. Qoftë nga aspekti financiar ose programor. Si për qendrat rinore, ashtu edhe plotësisht për Ligjin për të Rinjtë. Nëse flasim në përgjithësi për komunat, do të kisha dashur që të kishte dispozita ndëshkuese për ato pushtete lokale që nuk i plotësojnë kërkesat e ligjit”, theksoi Spahiu.

Radhën e kanë deputetët

Këtë e kërkoi edhe një grup i organizatave të bashkuara të cilat vitin e kaluar dërguan në Kuvend projekt-ndryshime për Ligjin për të Rinjtë. Jo vetëm që po zbatohet me ritëm shumë të ngadaltë, por, sipas organizatave, është gjithashtu e rëndësishme të ketë kontroll për atë se sa dhe si po zbatohet.

Prandaj, ndryshimi kryesor është prezantimi i sistemit të përgjegjësisë. Risia do të mundësonte  penalitete për kryetarin e komunës që nuk do të ndërtojë qendër rinore, që nuk do të krijojë zyrë për të rinjtë ose nuk do të emërojë zyrtar për të rinjtë.

Pastaj, sipas ndryshimeve, qendrat rinore do të bëheshin detyrim i komunave, ndërsa përmes thirrjes publike do të zgjidhej organizatë udhëheqëse. Vihet rregull edhe në fushën e financave. 0,3% nga Buxheti i shtetit i përcaktuar me ligj do të derdhej në “Programin për të Rinjtë”, i cili do të mundësonte transparencë dhe drejtim për të rinjtë. Në të njëjtën kohë ndryshimet duhet t’i zgjidhin edhe formimin e Kuvendit Kombëtar Rinor, i cili deri më tani ka qenë “i bllokuar” në procedura.

“Ndryshimet tashmë janë dorëzuar në Kuvend, por ende nuk janë vënë në procedurë formale dhe pritet hap institucional për hapjen dhe shqyrtimin e tyre. E rëndësishme për të gjithë procesin është edhe krijimi i partneritetit të vërtetë midis institucioneve, komunave dhe organizatave rinore. Sfida kryesore nuk është mungesa e politikave, por zbatimi i tyre i vazhdueshëm me fokusin e vërtetë që duhet të jetë në zbatimin e fuqishëm lokal, koordinimin më të mirë nacional dhe pjesëmarrjen reale dhe substanciale të të rinjve në të gjitha proceset, sepse vetëm në këtë mënyrë politikat rinore mund të bëhen mbështetje praktike, e jo vetëm premtim në letër”, përfundoi Ane Matevska nga KRNM.