Shteti i improvizimeve

Objekti që mbante emrin diskotekë-klub nate në Koçan e që u bë varrezë masive e 59 të rinjve që atë natë të kobshme kishin dalë të argëtohen për fundjavë, e tregon në miniaturë jetën tonë si qytetarë në këtë shtet improvizimesh. Si që kishte shkruar dikush në internet, në mënyrë që ai shpajz të quhet diskotekë duhet të ketë kaluar shumë instanca të institucioneve shtetërore që kanë mundësuar funksionimin e një vendi të tillë jashtë çdo standardi. Pasojat e këtyre improvizimeve janë të rënda. 59 jetë u shuan në prag të kësaj stine që duhej të simbolizonte pranverën e jetës së tyre të re. Vendi sërish mban zi për një tragjedi. Ajo që vret më shumë është se askush nuk është i sigurtë se gjëra të tilla nuk do të ndodhin përsëri. Askush nuk është i sigurtë se një ditë vetë ai ose fëmija e tij mund të jetë viktimë e një improvizimi tjetër.

Ajo që ndodhi në Koçan tregon qartë edhe një herë erozionin institucional që na ka kapluar si shoqëri. Me licencë të falsifikuar ose çfarëdo qoftë dokumenti tjetër, ai vend ka funksionuar me vite të tëra dhe aty janë mbajtur mbrëmje zbavitëse nga të cilat dikush ka përfituar, derisa një ditë nuk u shemb gjithçka. Por atë natë të kobshme, ai vend ka funksionuar tërësisht jashtë ligjit, duke qenë se i kishte skaduar edhe ajo farë licence e falsifikuar që mund ta kishte pasur. Natën e ngjarjes, në atë vend të vogël me vetëm një hyrje dhe një derë tjetër të mbyllur me dry, kanë qenë prezentë tej mase më shumë persona se që kanë mundur të qëndrojnë aty. Brenda atij ambienti të improvizuar është futur material piroteknik për efekte në skenë, pa pasur lejet e nevojshme për përdorim të një materiali të tillë në ambient të mbyllur. Në vendin e ngjarjes, në një vend që quhet kabare dhe me gjasë duhet të funksionojë në orët e natës, kanë qenë të pranishëm persona të mitur që në atë orë duhet të jenë në gjumë dhe jo në disko. Askujt nuk i është bërë vonë për këtë dhe tani kemi viktima të mitura që askush nuk e di se si kanë përfunduar aty.

Në një vend të vogël si Koçani, të gjithë e njohin njëri tjetrin dhe me gjasë dihet kush çfarë pune bën. Të gjitha institucionet e atij qyteti të vogël dhe të gjithë qytetarët e kanë parë se si duket ai vend e megjithatë kanë lejuar që aty të mbahen evente të tilla si ai koncert. Askush nuk e mendon më të keqen kur dëshiron të argëtohet, por pastaj çmimi që paguajmë është tejet i lartë. Askush nuk i mendon licencat kur jepen ashtu symbyllur, vetëm në bazë të deklaratave të pronarëve, por kur ndodh tragjedia, atëherë i shohim të gjitha mangësitë. Askush nuk e mendon rrezikun e përdorimit të fishekzjarrëve në ambient të mbyllur deri në momentin kur një gacë e përshkon tavanin e improvizuar dhe gjithçka bëhet hi brenda pak sekondave. Askush nuk e mendon gjendjen e rëndë të shëndetësisë deri në momentin kur të plagosurit duhet ti dërgojmë urgjentisht jashtë shtetit për shërim. Askush nuk e mendon dëmin para se të bëhet sepse nuk i duam standardet.

Të pasurit standarde do të thotë të parandalohen situatat e tilla si kjo në Koçan. Po të kishim inspektorate të mirëfillta një vend i tillë nuk do të mund të funksiononte kaq gjatë dhe të bëhej shkas për humbjen e kaq jetëve të reja. Po të kishim kontroll të mirëfilltë policor nuk do të kishte të mitur atë natë aty. Po të kishim institucione të vërteta nuk do të mund të falsifikoheshin dokumente e as të jepeshin licenca pa shqyrtim të objektit që duhet të licencohet si klub nate. Po të kishim gjykim të shëndoshë askush nuk do ta frekuentonte një vend të tillë jashtë çdo standardi.

Institucionet e shtetit tonë të improvizuar do ta hetojnë tani në detaje këtë rast. Kjo për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe mllefit të madh të qytetarëve. Por sa raste të tjera ka të improvizimeve të tilla? Sigurisht shumë, dhe ne nuk do ti dimë, deri në momentin kur nuk do të ndodhë një tragjedi tjetër, si që jemi mësuar të na ndodhin shpesh.

Edhe hetimi i këtij rasti duket si një improvizim që fokusohet tek e kaluara dhe jo tek e tashmja., duke marrë parasysh deklaratat e kryeministrit që ka përsëritur disa herë se institucionet që tani më për një vit janë në pushtet nuk kanë qenë kompetente të bëjë asnjë kontroll në atë vend, kohë më parë se të kishte ndodhur ngjarja. Kështu, inspektorati i tregut nuk ka qenë kompetent ta kontrollojë objektin që ka funksionuar si kabare pa asnjë kusht të plotësuar e me licencë të skaduar. Kryetari i komunës po ashtu nuk ka qenë kompetent për të bërë çfarëdo lloj kontrolli të orarit ose kushteve të punës në atë objekt. Siç duket as policia nuk ka qenë kompetente të kontrollojë të miturit që kanë hyrë atë natë në atë vend. Për më tepër, as spitalet tona nuk kanë qenë kompetente të mjekojnë të sëmurit duke qenë se numri më i madh i tyre u degdisën në vende tjera për të kërkuar shpëtim. Dy gjëra janë duke na shkatërruar: forma e improvizuar e funksionimit dhe “moskompentenca” e asnjë institucioni për t’u marrë me problemet reale në shoqëri.

Institucionet tani zotohen se do të hetojnë rastin për të kuptuar lidhshmërinë me korrupsionin. Perceptimi i qytetarëve që moti është se çdo gjë në këtë vend është e korruptuar. Si që shohim, korrupsioni vret dhe do të vazhdojë të vrasë edhe më tej, sepse ka lëshuar rrënjë në çdo pore të shoqërisë. Do ti hetojmë tani të gjitha dhe do ti dënojmë ata që janë fajtorë, por jetët e atyre që u shuan nuk do të mund ti kthejmë pas.

Deri kur? Deri kur do të veprojmë vetëm pasi dëmi të ketë ndodhur? Deri kur do t’i mbyllim sytë para asaj që të gjithë e dinë e që mundet fare mirë të parandalohet para se tragjedi të tilla të ndodhin? Deri kur do të pajtohemi të jetojmë një jetë të improvizuar?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.