“SHTETI BABAL”

Hapja e temës së shtetit të ri bektashian brenda territorit të shtetit të parë shqiptar, Shqipërisë, është p një populizëm postmodern, një bombë politike që mediatikisht goditi opinionin vendor dhe më gjerë. Është një paraqitje e një fraksioni, tarikati, urdhri fetar islamik si një diçka supra-islame, tejislame duke iu akorduar atij entiteti politik suprem: shteti. Më 21 shtator The New York Times dhe më 22 shtator EuroNews shpallën lajmin se Shqipëria planifikon të krijojë “Vatikanin e vet”, mikro-shtetin bektashi, që u pasua edhe nga fjalimi i Edi Ramës në Kombet e Bashkuara që mes tjerash kumtoi se ky shtet prej 10 hektarësh do të lejojë alkoolin, do t’i lejojë njerëzit të veshin çfarë të duan dhe nuk do të vendosë asnjë rregull jetese (lexo: anarki), se kjo është një përpjekje për të promovuar një “version tolerant të Islamit”. Sikur në Shqipëri ka ndalesë alkooli e mbizotërin ligji i ferexhesë!

Këtij kryeministri sikur nuk i mjaftonte populizmi vendor dhe rajonal, ballkanik, tani bën një hap përtej, globalizon çmenduritë dhe absurditet e veta duke u prekur me një element shumë sensibël, fenë. Shqipëria, si shtet pa fe zyrtare dhe me liri besimi të garantuar me kushtetutë, ku gjendet kryegjyshata e bektashizmit nga viti 1925 kur Ataturku shpalli ligjin 677 që ndalonte teqetë dhe zavijet, shprehur me gjuhën e basketbollit, ka bërë “steps sociologjik” me shpalljen e bektashizmit si besim i katërt fetar në këtë vend. Faktet e sociologjisë së religjonit flasin që bektashizmi nuk është fe e veçantë, por një interpretim më ndryshe i islamit. Kjo edhe përkundër pretendimeve të puristëve islamikë që e përjashtojnë apo s’e llogarisin bektashizmin si pjesë të trungut islamik. Kjo do të mbetet kështu përderisa vetë bektashinjtë nuk dalin hapur të deklarohen se nuk janë myslimanë ose se nuk janë pjesë e islamit.

Dhe, mikroshteti. Sipas Lukaszewski-t (2011) mikroshtetet nënkuptojnë shtetet fshatare, mini-shtetet, shtetet e vogla, shtetet xhuxh dhe shtetet miniaturë. Shprehja micro shpreh vogëlsinë ekstreme të një subjekti politik që sot, ndër ne  plasohet si një sfilatë politike për të na njohur bota edhe një herë me një ekstremizëm tjetër: nga ateizmi ekstrem i pashoq në botë, te një esktrem tjetër, teokracia apo shteti i dytë fetar me kushtetutë në Europë. Duke e marrë si bazë një shtet papal si Vatikani, synohet të krijohet një shtet babal, që do qeveriset nga një klerik-baba bektashian. Një shtet nga muzeu i eksperimentimit me fepolitikën, që qytetarin e përçmon, e përtall dhe e nullizon, s’e llogarit fare. Ka kritere dhe mekanizma për themelimin e shteteve të reja. Sfondi historik, territori, referendumi… Aty ku synohet të bëhet s’ka pasur kurrë një lëvizje për një gjë të tillë, as ka koncentrim demografik bektashianësh.

As është bërë matja e pulsit të qytetarëve nëse duan një gjë të tillë. Pyetja hipotetike është çka nëse shprehen edhe dëshira për shtete religjioze të tjera, kur e kemi parasysh se në Shqipëri ka një larmi fetare: 611 kulte e sekte (TV Klan, 9.07.2020) apo organizata dhe fondacione fetare e humanitare (248 fondacione, 323 OJQ fetare dhe  40 qendra fetare (TopChannel, 05.01.2021). Kërkesat hipotetike të radhës mund të ishin: shteti rifai, mevlevi, selefi/vehabi, hanefi, ai i Dëshmitarëve të Jehovait, i adventistëve, i jezuitëve, i behaive… Politika apo strategjia më racionale për këtë diversitet është neutraliteti aktiv ose ajo që Barghava e quan ‘sekularizëm politik’ (Elbasani, 2024).

Si ka mundësi në një fe libri i të cilës hapet me “Në emër të Gjithëmëshirshmit”, të prioritizohet një emanacion apo produkt i saj (bektashizmi) si kampion i tolerancës? “Shteti Bektashian” është tentim për ribrendim të islamit nga një kryeministër jomysliman (kuptohet: s’do ishte në rregull një veprim i tillë edhe po të ishte mysliman). Është lojë e rrezikshme edhe fetare edhe politike. Fetare sepse hap hendekun regligjioz, krijon animozitet mes komuniteteve, hap kutinë e pandorës, mundësi për krijim të katundeve të tjera me ngjyrime fetare. Teokracitë postmoderne janë nonsens në një kohë kur dominon paradigma se politikbëria me elemente fetare është e kaluar, është punë mesjetare. Në epokën e shekullarizmit dhe laicitetit,  në shekullin XXI të pretendohet të konstruktohet një mikroshtet fetar, është kontradiktë me rrymën e kohës. Ideja e mikroshtetit teokratik shqiptar të përkujton tregimin për bretkosën, atin dhe nallbanin.

Nëse synohet të krijohet një atraksion turistik-ekonomik, pse kjo të bëhet me fenë? Tyxharllëku me fenë etikisht është një veprim i shëmtuar është sëmundje demokratike (democratic illness). Do i shitet botës si destinacion turistik “Bektashistani” europian? Kjo është një iluzionizëm a la “Shkupi 2014” që është bërë gazi i botës me godinat barok të ndërtuara në fillim të mijëvjeçarit të tretë. Teopolitika – si jetë fecentriste, teologjia politike dhe politika teologjike janë instrumente shumë të rrezikshme për t’u tallur me popullin. Bektashistani është metaforë e parodisë politike shqiptare.

Shqiptarët kanë tolerancë fetare por kanë edhe ndërgjegjen kolektive që s’lejon parcializime dhe secesionizma të akrobatëve që duan të vetaktualizohen në kurriz të hallkut apo demosit. Profesori ynë i ndjerë sarajevas Fikret Karçiq në njërën nga lëndët që na ligjëronte dikur, na shpjegoi edhe termin “oktroisani ustav” që përkthehet si akt juridik i imponuar, i dhuruar, që miratohet “nga lart”, pra përmes një dekretimi apo vendimi të autoritetit ekzekutiv, pa konsultime apo pjesëmarrje të organeve më të ulta ose përfaqësuesve të qytetarëve që do të preken nga dispozitat e saj; është karakteristike për monarkitë absolute, diktaturat ose shtetet që ndodhen në okupim ushtarak. Falë Zotit, Shqipëria është e lirë, është demokraci parlamentare dhe askush s’e ka të drejtën të konstruktojë skena ku veten e paraqesin si Deus ex machina. Bektashizmi  pakontestueshëm është pjesë e mozaikut religjioz dhe kulturor të Shqipërisë dhe albanosferës dhe nuk ka nevojë të politizohet, rregull ky që duhet të vlejë për të gjithë agjentët fetarë pa marrë parasysh madhësinë  dhe fuqinë e tyre. Është një kulturë spirituale që natyrisht jetësohet edhe në sferën publike edhe në atë private.

Politikanë duhet të venë gishtin në mendje, duhet të dinë se nuk janë profetë, se jo çdo fjalë dhe ide e tyre është kanon! Dokrrat, ëndrrat, hamendësimet, halucinacionet janë pjesë e jetës. Por ato duhet të mbeten për vete, jo të tentohet që të socializohen duke u nisur nga pushteti dhe potenca ekzekutive. Ridiculam hominem janë për në skenat teatrale, për TV show-t dhe skeçet e humorit jo për në politikë ku ka përgjegjësi dhe llogaridhënie për çdo veprim dhe ndërmarrje. Krijuesit të kundërpolitikës dhe mikroshtetëzimit babal duhet thënë në kor “Jo”, nga shkencëtarët, teologët, gazetarët, opinionistët deri te qytetari ordiner, nga çdokush që ia do të mirën këtij vendi dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.