Shtetet me të cilët kryen më së shumti shkëmbim tregtar Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut gjatë tetë muajve të parë të këtij viti ka shënuar deficit tregtar mbi 1.7 miliard euro si rezultat I dallimit ndërmjet importit dhe eksportit, transmeton Portalb.mk.

“Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në janar-gusht 2023, është 5 502 897 000 euro, me ç’rast shënon rritje prej 1.9 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Vlera e mallit të importuar, në janar-gusht të vitit 2023, është 7 299 621 000 euro, që është për 7.6 % më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Enti theksoi që mbulimi i importit me eksport është vetëm 75.4 përqind.

“Në periudhën janar-gusht të vitit 2023, sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit tregtar, Republika e Maqedonisë së Veriut ka tregtuar më shumë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Kinën dhe Serbinë”, sqaroi Enti Shtetëror i Statistikave.