Shtetet ku Maqedonia e Veriut më shumë eksporton sesa importon mallra

Maqedonia e Veriut gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti ka regjistruar deficit tregtar 2 283 385 000 euro, duke regjistruar më shumë import të mallrave sesa eksport. Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut me disa shtete ka regjistruar më shumë eksport sesa import të mallrave, transmeton Portalb.mk.

Shtetet ku Maqedonia e Veriut më shumë ka eksportuar mallra është Gjermania, Hungaria, Kosova, Belgjika, Çekia dhe Spanja. Në këtë periudhë, në bazë të vëllimit të përgjithshëm, Maqedonia e Veriut ka kryer shkëmbim tregtar më të madh me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Kinën dhe Serbinë.

“Vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në janar-tetor 2023, është 427 703 580 mijë denarë, me ç’rast shënon rritje prej 0.1 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Vlera e mallit të importuar, në janar-tetor të vitit 2023, është 568 283 300 mijë denarë, që është për 8.8 % më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.