Shtetet fqinje ofruan ndihmë për fatkeqësinë në Koçan

Vendet fqinje të Maqedonisë së Veriut kanë shprehur ngushëllime të thella dhe ofruan ndihmë për përballimin e tragjedisë së rëndë në Koçan ku nga zjarri në një diskotekë humbën jetën 59 persona, kryesisht të rinj të moshës 14 deri në 24 vjeç, transmeton Portalb.mk

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi se Shqipëria është e gatshme të dalë në ndihmë. 

“Me një ndjenjë hidhërimi të veçantë u përcjell vëllezërve e motrave të Maqedonisë së Veriut ngushëllimet e mia për tragjedinë e madhe të Koçanit. I përcjell po ashtu kryeministrit Mickovski dhe autoriteteve të vendit fqinj ngushëllimet në emër të Shqipërisë e shqiptarëve, duke shprehur gatishmërinë për çfarëdo-qoftë ndihma jonë mund të jetë e nevojshme”, tha Rama. 

Nga ana tjetër, presidenti i serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se Serbia do ta shpallë 18 marsin ditë zie për shkak të tragjedisë. 

“I shpreha ngushëllimet e mia të sinqerta Presidentes Gordana Siljanovska Davkova me rastin e tragjedisë së tmerrshme në Maqedoninë e Veriut, e cila ka prekur thellë jo vetëm popullin e atij vendi, por edhe të gjithë ne në Serbi që ngushëllojmë me familjet e viktimave dhe gjithë popullin e këtij vendi vëllazëror. Unë ofrova në emër të Serbisë dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut pranoi që të dërgohen helikopterë dhe mjete të tjera transportuese mjekësore, ekipe mjekësore si ndihmë, si dhe të pranohen në spitalet e Serbisë një numër i madh i të lënduarve në tragjedinë e Koçanit”, tha Vuçiq. 

Ambasada e Greqisë në vend njoftoi se ministri i Jashtëm George Gerapetritis i shprehu ngushëllimet më të thella ministrit të Jashtëm Timço Mucunski për viktimat shkatërruese të zjarrit në Koçan. 

“Ministri i Jashtëm Gerapetritis shprehu gjithashtu gatishmërinë e Greqisë për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme, duke përfshirë ekipet e shpëtimit dhe mbështetjen mjekësore”, informoi Ambasada e Greqisë. 

Edhe kryeministri i Bullgarisë Rosen Zheljazkov u shpreh i gatshëm që të ndihmojnë viktimat.

“Bullgaria tashmë ka ofruar ndihmë në formën e trajtimit mjekësor për të prekurit nga zjarri. Kam urdhëruar gatishmëri të plotë për pranim në objektet klinike në qytetet e Sofjes dhe Varnës. Forcat Ajrore Bullgare janë në gatishmëri për të transportuar ata që kanë nevojë për trajtim”, tha Zheljazkov. 

Presidetja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se humbja e shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të thuhet.

“Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë. Ju jeni në mendimet dhe lutjet tona”, tha Osmani. 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dërgoi mesazhe ngushëllimi për familjarët. 

“ Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet që humbën më të dashurit e tyre, si dhe për liderët dhe qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendit në këtë kohë pikëllimi. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, tha Kurti. 

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.

LEXO MË SHUMË NË: 

Tragjedi në Koçan, 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj