Shtëpia e Bardhë mohoi pretendimin se SHBA-ja ndodhet pas sulmeve ndaj Kremlinit
Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar “qesharake” pretendimet se Washingtoni ndodhet pas sulmeve të kryera me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj Kremlinit dhe ka theksuar se SHBA-ja nuk ka asnjë përfshirje në këto sulme, transmeton Anadolu.
Koordinatori për Komunikime Strategjike i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, lidhur me temën foli në programe të ndryshme ku ai mori pjesë.
Lidhur me deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili akuzoi SHBA-në për sulmet e kryera me dronë dhe tha se “vendime të tilla nuk merren në Kiev, por në Washington”, Kirby tha se Peskov “gënjen”.
“Më mënyrë të hapur ky është një pretendim qesharak. SHBA-ja nuk ka asnjë lidhje me këtë”, tha Kirby, duke shtuar se nuk kanë informacion se kush ndodhet pas sulmeve.
Duke theksuar se nuk miratojnë sulmet kundrejt liderëve, Kirby tha se nuk mbështesin as sulmet e Ukrainës jashtë territoreve të saj.
Pasi theksoi se SHBA-ja nuk ka ndonjë përfshirje në këtë sulm, ai u shpreh se nuk e dinë “saktësisht” se çfarë ka ndodhur.
Më tej, Kirby theksoi se Ukrainës nuk i diktojnë ndonjë gjë lidhur me operacionet që ajo zhvillon ose teksa mbron veten. Ai shtoi se në këtë luftë “agresori” është Rusia.
Lidhur me lajmet se Rusia mund të kryejë përpjekje për sabotim ndaj vendeve që ofrojnë mbështetje ndaj Ukrainës dhe se mund të dëmtojë sistemet e infrastrukturës kritike të NATO-s, Kirby tha se, “Nuk kam asnjë informacion inteligjent ose informatë speciale që mund të na bëjë të besojmë se kjo do të ndodhë. Por në mënyrë kategorike po e ndjekim çështjen me sa kemi mundësi”.
Kirby po ashtu theksoi se kanë biseduar me liderët ukrainas për dokumentet që kanë rrjedhur nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së për Ukrainën. Ai informoi se Ukraina ka pothuajse çdo gjë që ka nevojë teksa zhvillon operacionet e saj të sulmeve brenda vendit dhe se e kanë mbështetur këtë vend me ndihma shtesë.
Dje, Kremlini njoftoi se Ukraina u përpoq të sulmonte me dronë gjatë natës rezidencën e presidentit Vladimir Putin në Pallatin e Kremlinit.