Shtatë viktima, hakmarrje dhe objektiva të gabuara nga anëtarët e grupit kriminal Bellanoca-Baron

Shtatë viktimat e grupit “Bellanoca-Baron” dhe grupi i dytë i paidentifikuar u likuiduan për arsye të ndryshme, zbuloi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në një brifing me gazetarët. Midis të vrarëve, ka edhe qytetarë të pafajshëm që nuk ishin shënjestër, por pësuan. Për një likuidim, arsyeja ishte dyshimi se personi i vrarë u kishte dhënë institucioneve informacione në lidhje me të pandehurit në rastin “Liqeni i Smillkovës”, transmeton Portalb.mk.

“Motivi i organizatorit të likuidimit është se i ndjeri u dorëzoi institucioneve dy nga personat për Liqenin Smilkovës, njëri prej të cilëve është dënuar dhe tjetri është në Kosovë. Organizatori besonte se personi i vrarë u kishte dhënë informacione strukturave të sigurisë. Nëse informacioni ishte dhënë – nuk mund ta themi. Tani organizatori është në burg”, tha ekipi i Prokurorisë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin në lidhje me njërën nga vrasjet.

Një motiv tjetër për vrasjet ishte eliminimi, domethënë urrejtja për shkak të një të shtëne të mëparshme ku u vra jo vetëm objektivi, por edhe shoqëruesi i tij, e cila ndodhi në Fushë Tophae. Një viktimë u vra thjesht sepse mallkoi familjen e organizatorit të likuidimit. Janë siguruar prova edhe për një vrasje tjetër, ku autori besonte se viktima kishte marrë pjesë në një të shtënë të mëparshme, në të cilën u plagos një i afërm.

Vrasja më e vjetër ishte në vitin 2014. Grupi “Bellanoca-Baron” po ndiqet penalisht për katër vrasje, dhe i dyti, për tre vrasje. Disa nga planet për likuidimet u bënë nga institucionet e burgjeve, ndërsa u zbatuan nga individë të lirë.

Kujtojmë se mëngjesin e 21 majit, u realizua një operacion i ri policor. Ekipet policore të udhëhequra nga një prokuror që merret me rastin me emrin e koduar “Bunker” kanë kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup.

Aksioni, siç  informoi Prokuroria, është rezultat i provave të marra në kuadër të procedurës hetimore kundër anëtarëve të grupit kriminal Bellanoca-Baron.

Ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi se gjatë kontrolleve, janë ndaluar katër persona, në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, siç theksohet në njoftim, është gjetur sasi e madhe marihuane, e cila do t’i nënshtrohet analizës mjeko-ligjore.

Nga aty njoftojnë se, ekziston dyshimi i bazuar se katër të arrestuarit kanë kryer veprën penale “shoqërim kriminal” dhe veprën penale të “vrasjes”, dhe njëri nga të dyshuarit ka kryer edhe veprën penale të “prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. 

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Publike informoi se gjithsej 18 persona, anëtarë të grupit kriminal Bellanoca-Baron, ishin të dyshuar në aksionin që ata kryen me Ministrinë e Brendshme në disa lokacione në komunat e Shkupit Çair, Haraçinë, Shuto Orizare, Butel dhe Studeniçan.

Ata akuzohen për krime të rënda, nga vrasje, bashkëpunim kriminal deri te krime të rënda kundër sigurisë publike dhe zhvatje. Ata akuzohen për disa vrasje të kryera vitet e fundit, disa me urdhër dhe disa në shenjë hakmarrjeje. Për më tepër, anëtarët e grupit dyshohet se qëndrojnë pas djegies së ndërtesave dhe automjeteve në territorin e Shkupit, si një mënyrë për të zhvatur para, e cila kryhej çdo muaj.

Siç raportuan në atë kohë, u kryen bastisje në 30 lokacione dhe u gjetën sasi të mëdha parash, ari, armë zjarri dhe sende të tjera.

Në aksionin e asaj kohe, sipas Prokurorisë, u arrestuan katër persona, dhe njëri u dorëzua në stacionin e policisë.