Shtatë praktikantë filluan me angazhimin e tyre njëmujor në mediat e “Metamorfozis”

Shtatë praktikantë të rinj filluan me angazhimin e tyre njëmujor në mediumet e Fondacionit “Metamorfozis” (Agjencia e Lajmeve Meta, Portalb dhe Vistinomer) që nga fillimi i korrikut, raporton Portalb.mk.

Ndonëse fillimisht ishte paraparë të angazhohen 4 praktikantë, për shkak të interesimit të madh dhe konkurrencës së fortë të të rinjve që morën pjesë në të katër trajnimet, Fondacioni “Metamorfozis” vendosi të punësojë shtatë.

Bëhet fjalë për pjesëmarrësit më të mirë të serisë prej katër trajnimesh që u zhvilluan gjatë muajve shkurt, mars, prill dhe maj të këtij viti, ku morën pjesë rreth 40 të rinj. Mes tyre janë studentë të gazetarisë, studentë të shkencave kompjuterike, studentë të mjekësisë, të diplomuar në gazetari dhe studentë të studimeve të komunikimit. Gjatë muajit korrik ata do të punojnë së bashku me redaktorët dhe gazetarët nga redaksia e Meta.mk, Portalb.mk dhe Vistinomer.mk, do të kenë mundësi të mësojnë dhe të kontribuojnë në prodhimin e produkteve cilësore gazetareske.

Në përfundim të praktikës, dy më të mirët nga shtatë praktikantët do të udhëtojnë në një vizitë njëjavore në Uashington, SHBA, organizuar nga Qendra Ndërkombëtare për Gazetarë (IFCJ).

Praktika është pjesë e programit “Gazetaria për gjeneratën e re: Programi i trajnimit për media në Maqedoninë e Veriut”, të cilin Fondacioni “Metamorfozis” e zbaton së bashku me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ), me mbështetje financiare nga Ambasada e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut.