Shtatë persona me ethet e Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive, një në gjendje të rëndë shëndetësore
Shtatë persona të konfirmuar me ethet e Nilit Perëndimor janë të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Klinikës, Fadil Cana ka njoftuar se gjendja shëndetësore e njërit prej tyre, një 76-vjeçar nga Shkupi vazhdon të jetë e rëndë dhe ai është në mbështetje respiratore. Ai është i shtruar në Klinikë prej një jave.
Gjashtë pacientët e tjerë janë mbi 60 vjeç dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, vetëm njëri prej tyre ka udhëtuar më herët në Greqi.
“Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe çrregullim i vetëdijes”, ka thënë Fadil Cana për MIA.
Personat e hospitalizuar janë infektuar nga pickimi i mushkonjave të infektuara.
Periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë pas pickimit.
Shumica e personave e kalojnë infeksionin pa e kuptuar se kanë qenë të infektuar me virusin.