74 milionat për Spitalin e Tetovës: Çfarë dhe kur do të ndërtohet?
Pas disa muajve paqartësi për 74 milionë eurot e paralajmëruara për investime në Spitalin e Tetovës, sot udhëheqësia e shëndetësisë së bashku me një delegacion nga Banka Botërore zbarkuan në Tetovë nga ku njoftuan më tepër detaje për projektin, shkruan Portalb.mk.
Ky projekt parashikon rikonstruksionin e plotë, zgjerimin dhe pajisjen e spitalit në vlerë prej 74 milionë eurove, megjithatë modeli përfundimtar i financimit do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.
Projekti parashikon rikonstruksionin dhe modernizimin e Bllokut të Kirurgjisë dhe atij të Sëmundjeve Interne, ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore, objekt të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji, furnizimin me pajisje bashkëkohore mjekësore dhe sisteme të teknologjisë së informacionit, largimin e objekteve të amortizuara dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.
“Synimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit të Pollogut të marrin shërbime shëndetësore bashkëkohore dhe në kohë, sa më pranë vendbanimit të tyre”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
I pyetur për afate kohore, ministri tha se do duhen gjashtë muaj për përgatitje dhe analiza, që më pas të shpallet tenderi.
Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi tha se nga ana e spitalit janë bërë të gjitha përgatitjet dhe projektimet.
“Grupi punues e ka bërë punën e vetë për projektin e tre ndërtesave të reja dhe dy ndërtesave ekzistuese për rinovim”, tha Elezi.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami këtë projekt e konsideroi si më të rëndësishmin për Spitalin e Tetovë.
“Besojmë dhe do punojmë që ky projekt sa më shpejtë të jetë në shërbim të qytetarëve të kësaj ane”, tha Kasami.
Nga ky investim pritet të përfitojnë mbi 250 mijë banorë të rajonit të Pollogut dhe pritet të mundësohen më shumë shërbime në nivel lokal.
Kujtojmë se investimin prej 74 milionë eurove për transformimin e Spitalit Klinik të Tetovës e njoftoi më 2 maj 2026 ish-ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu. Ky paralajmërim u shoqërua me paqartësi rreth asaj se nga do sigurohen fondet dhe për çfarë konkretisht do investohen.