Shtatë kompjuterë tabletë për të ndihmuar personat e shurdhër në stacionet e policisë dhe spitalet anembanë Shkupit

Shtatë kompjuterë tabletë të destinuar për të ndihmuar personat e shurdhër dhe me dëgjim të dobët do të vendosen së shpejti në disa pika në Shkup, si pjesë e pilot projektit “Shërbimi digjital i interpretimit për personat e shurdhër dhe me vështirësi në dëgjim” i cili u promovua sot në Unionin Kombëtar e të shurdhërve dhe personave me vështirësi në dëgjim, transmeton Portalb.mk.

Tabletat do të vendosen në institucionet e MPB-së si dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” dhe në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.

Kryetari i Unionit Kombëtar të të Shurdhërve dhe personave me dëgjim të dobët të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Tomica Stojanovski, referuar këtij projekti tha:

“Të mund të na kuptojnë  të tjerët dhe ne t’i kuptojmë gjatë bisedës, sigurisht përmes përkthyesve të gjuhës së shenjave, sepse pa përkthyes të gjuhës së shenjave ne të shurdhrit nuk mund të komunikojmë dhe kuptojmë njëri-tjetrin.”

Sekretarja e Përgjithshme e Unionit Kombëtar të të Shurdhërve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lisa Vellkoska, theksoi se vizioni i projektit është të ofrojë shërbimin me video të cilësisë më të lartë për interpretim në distancë, i cili do të fuqizojë të shurdhrit që të gëzojnë  jetë të pavarur, të lidhur me të tjerët në shoqëri.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski  theksoi se projekti është në thelb përmirësim i projektit tashmë të krijuar të Unionit Kombëtar nga viti 2019, për krijimin e një Qendre Thirrjesh për Personat e Shurdhër dhe me vështirësi në dëgjim.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husein theksoi ky përkthyes digjital jo vetëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë mënyrën e transmetimit të informacionit, por gjithashtu do të sigurojë transmetim të besueshëm dhe të saktë të informacionit për të cilin njerëzit e shurdhër dhe me vështirësi dëgjimi kanë nevojë në jetën e tyre të përditshme.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, theksoi se përmes tabletave në një numër më të madh institucionesh, përfshirë edhe ata shëndetësore, do të mund të shihen më konkretisht nevojat e personave të shurdhër dhe me dëgjim të dobët, të cilët do të komunikojnë përmes një video-telefonate me përkthyes të certifikuar të gjuhës së shenjave.

Ndryshe, pilot projekti ka dy grupe kryesore të synuara, përkatësisht personat e shurdhër dhe shërbimet publike, ku Shërbimi i Interpretimit Digjital mund të sigurojë qasje të integruar në të gjitha shërbimet publike.