Shqiptarët autoktonë sipas Branisllav Nushiqit

Nuk ka asgjë më të lehtë se të kuptosh të vërtetën që lidhet me popullatën autoktone shqiptare në Kosovë dhe jo vetëm, me pushtimet e saj nga perandoritë e mëdha të shekujve të shkuar, me ardhacakët e stepave kaukaziane të kthyer në dhunues vendësish, me mashtrimet e mëdha historike, që edhe në shekullin XXI mund të bëhen burim krizash të reja në Siujdhesën Ballkanike. Për të vërtetat në fjalë mjafton të lexohen autorët serbë, të cilët kanë shkruar mijëra libra për kohën dhe mënyrën e vendosjes së tyre në trojet e tjetrit.

Është e gjatë lista e  historianëve, shkrimtarëve, politikanëve dhe ushtarakëve serbë, që kanë përgatitur elaborate gjenocidiste për zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut, si: Garashanini, Çubriloviqi, Andriqi, Pashiqi…, por nuk mungojnë as ata që kanë lënë pas vetes dëshmi të shkruara për krimet serbe ndaj shqiptarëve, si puna e Dimitrije Tucoviqit, apo për lashtësinë tonë parasllave në sinorët e pushtuara në sh. VII nga sllavët, si puna e satiristit, dramaturgut dhe udhëpërshkruesit serb, Branisllav Nushiqit, në shkrimet e të cilëve, përveç të vërtetave hasen dhe teza të pasakta.

Në kapitullin “Banorët e Kosovës” të veprës “Kosova – përshkrimi i vendit dhe popullatës”, Branisllav Nushiqi, për të cilin thuhet se mund të jetë me origjinë shqiptare ose vllahe, mes tjerash shkruan:

Epoka kur zuri fill historia hasi në Kosovë Dardanët, fisin ilir, që jetonte përreth Skardit plak, Sharrit të sotëm.

Pas dyndjes së serbëve në këto vise, një pjesë e popullatës autoktone mbijetoi në sinoret e paarritshme malore. Në sajë të kësaj ata arritën ta ruajnë tiparet identitare dhe gjuhën ilire, që sot njihet si gjuhë e Arnautëve apo Shqiptarëve,  

Arnautët, pra, jënë vendësit e vjetër të këtyre viseve ose, thënë më mirë, pasardhësit e vendësve më të lashtë, të njohur që para luftërave që bënë me Romakët. 

Kur Serbët erdhën në këto vise, takuan Ilirët (Arbanasit). Për të arritur qëllimet e tyre, Serbët nisën popullimin e shpejtë dhe të dendur të viseve fushore, duke e detyruar popullatën autoktone të tërhiqet nga dhuna e pushtuesve të rinj.

Me popullimin e dendur, ata ia dhanë shumë shpejt këtij vendi fizionominë e tokës serbe, duke ndryshuar emrat e vendbanimeve, lumenjëve, maleve. Kështu, Skardi i vjetër u bë Sharr, Ulpijana – Lipjan, Labi – Ibar etj. Shpikën dhe emra të rinj, si: Kosovo, Vuçitrn, Golesh, Jerzerac, Sitnica, Nerodimka etj.

Që nga ajo kohë, Serbët mbetën gjer vonë zotërues të këtyre rajoneve. Numri i madh i tyre, krishterizimi që ua shtoi fuqinë, më vonë edhe organizimi politik, u dha atyre dominim të plotë ndaj mbetjeve të vndësve të lashtë…

Në veprën e tij Branisllav Nushiqi sjell dhe emrat e fiseve më të mëdha shqiptare në Kosovë: Gashi dhe Berisha, pas të cilëve përmend dhe fiset: Sopi, Krasniqi, Shala, Kryeziu. Kelmendi, Bityqi, Hoti, Elshani etj. Gjithnjë sipas tij: Në Kosovë nuk ka Turqë të vërtetë. Sojin e tyre e kanë përfaqësuar administratorët, ndaj, nëse ka mbetur ndonjë nga lufta, janë nja 15 shtëpi turqish, të cilët në rrethana të vështira u vendosën pranë Artanës (Novobërdës), të vendosur atje pas betejës së Kosovës. Prej tyre sot kanë mbetur vetëm dy shtëpi.

Janë interesante dhe disa fotografi të vjetra me të cilat janë ilustruar rrëfimet e autorit, ku, pothuajse gjithë banorët e fshatrave e qytezave kanë në kokë plisa të bardhë. Kjo, natyrisht, argumenton fuqishëm qëndrimin bazë të Branisllav Nushiqit mbi Dardaninë, që hedh poshtë si leckë mashtrimin shekullor mbi Kosovën djep të Serbisë dhe shqiptarët e sjellur në Ballkan nga Osmanët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.