Shqipëria prezantoi 12 masat e nismës “Cashless Albania 2030”
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot nismën kombëtare “Cashless Albania 2030”, raporton Klan. Kjo nismë synon të rrisë përdorimin e pagesave digjitale nga qytetarët dhe bizneset. Kjo synohet të bëhet duke ndërtuar një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe funksionale.
Qëllimi i qeverisë është që të rrisë pagesat digjitale, të formalizojë ekonominë dhe të afrohet me standardet europiane.
Ministrja Ibrahimaj bëri me dije edhe 12 masat që janë marrë për të realizuar këtë program. Në fillim do të ketë një nxitje për pagesat digjitale nëpërmjet:
1.Uljes graduale e tavanit të pagesave cash
2.Detyrimit ligjor për tregtarët për t’u pajisur me terminalë POS
3.Detyrimit ligjor për institucionet publike dhe shoqëritë publike për t’u pajisur me terminalë POS
4.Eliminimit të transfertave cash të pagesave qeveritare
5.Nxitjes së përdorimit të pagesave elektronike nga punonjësit e administratës publike
6.Respektimit të arkës ditore
Më pas synohet një përmirësim i infrastrukturës dhe kostove nëpërmjet:
7.Kufizimit të tarifave (Interchange Fee)
8.Bashkëpunimit me bankat dhe IPE-të për ndërlidhjen me platformën publike të pagesave elektronike
9.Ndërlidhjes së pagesave me sistemin e fiskalizimit dhe vendosja e QR code universal për pagesat elektronike
10.Zbatimit të sistemit kombëtar të pagesave të menjëhershme
11.Bashkëpunimit me sektorin privat për shtrirjen e infrastrukturës së pagesave elektronike
Në program parashikohet edhe edukimi financiar nëpërmjet një fushate kombëtare e ndërgjegjësimit dhe informimit për pagesat digjitale të quajtur “Shqipëria paguan digjital”.
Ministrja tha se brenda këtij muaji synohet ngritja e Këshillit për Pagesat Digjitale. Më konkretisht më 19 dhjetor parashikohet mbledhja e parë operative e Këshillit ku do dakordësohen masat dhe afatet.
Ndërsa nga Janari synohet fillimi i implementimit të masave. Po ashtu çdo një muaj do të organizohet një mbledhje mujore me grupin operativ për përditësimin e situatës aktuale dhe adresimin e sfidave ndërsa çdo tre muaj do të mblidhet grupi politik për të diskutuar vijimësinë e projektit.