Shoqëria civile: nxitëse e reformave apo armike e shtetit?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Ditëve të fundit në Maqedoni po riaktualizohet roli i shoqërisë civile, pas thirrjes së nivelit më të lartë shtetëror drejtuar donatorëve evropianë për “shkurtim” të fondeve për organizatat joqeveritare dhe mediat që “punuan kundër Evropës”, pra kundër integrimit europian të vendit”. Kjo kërkesë aktualizohet pas rreth një viti, kur po merr hov diskutimi për ndryshimet kushtetuese.

Pra, të shohim se çfarë thotë BE-ja për shoqërinë civile dhe rolin e saj në anëtarësimin e vendit. Si fillim, është mirë ta rikujtojmë atë që u prezantua nga Komisioni Evropian në skriningun analitik për shoqërinë civile, si pjesë e Klasterit Themelet, në fushën e Institucioneve Demokratike. Ta përsërisim – ky është klasteri më domethënës, ai që e përcakton dinamikën e anëtarësimit në tërësi.

Baza e acquis dhe standardeve për shoqërinë civile (SHC) janë dispozitat e Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, traktatet themeluese të BE-së (Traktati për BE-në dhe për Funksionimin e BE-së), Konventa Evropiane mbi të drejtat e njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, si dhe ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Para së gjithash është liria e shprehjes dhe e bashkimit e garantuar në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së. Në traktatet themeluese të BE-së qëndron detyrimi i institucioneve të BE-së për t’u dhënë qytetarëve dhe shoqatave përfaqësuese “mundësinë për t’i publikuar dhe shkëmbyer publikisht pikëpamjet e tyre në të gjitha fushat e veprimit të Bashkimit”, si dhe të mbajnë “një dialog të hapur, transparent dhe të rregullt me ​​shoqatat përfaqësuese dhe shoqërinë civile”. Institucionet e BE-së e kanë edhe detyrimin për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në qeverisjen e mirë, si dhe për të garantuar hapje dhe transparencë.

Nga ana tjetër, udhëzimet e përbashkëta për lirinë e bashkimit të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it (Zyra e OSBE-së për të Drejtat e Njeriut) i shpjegojnë dhe shtjellojnë standardet ndërkombëtare për lirinë e bashkimit në 11 parime. Në mesin e tyre kuptohet që janë liria e shprehjes, si dhe liria për të kërkuar, marrë dhe për të përdorur fonde.

Jo rastësisht në skriningun analitik është theksuar se shoqëria civile është “subjekt i rëndësishëm në qeverisjen, forcë shtytëse për reforma, bashkëbiseduese relevante, instrument i zërit të qytetarëve”, prandaj shfaqet nevoja për një dialog të hapur dhe të strukturuar, si dhe për pjesëmarrjen në proceset e marrjes së vendimeve politike.

Dhe jo rastësisht mbështetja për shoqërinë civile ka një trajtim të veçantë në dokumentet e zgjerimit. Kështu, në Metodologjinë e Zgjerimit shoqëria civile përjashtohet nga reduktimi i mundshëm i fondeve të para-anëtarësimit në rast të shfaqjes së “problemeve”. Kjo është operacionalizuar në Rregullativën për IPA III, por edhe në aq të përmendurën Kornizë negociuese. Pastaj, “Udhëzimet për mbështetjen e BE-së ndaj shoqërisë civile për periudhën 2021-2027” i përpunojnë në detaje qëllimet dhe rezultatet për tre fusha globale: a) mjedis i përshtatshëm për SHC; b) bashkëpunim i përforcuar dhe partneritetit ndërmjet organizatave të SHC dhe autoriteteve publike dhe c) përforcim i kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së organizatave të SHC për zbatimin efektiv të aktiviteteve të tyre. Dhe përsëri, në aneksin e këtij dokumenti, ndër të tjera, shpjegohen edhe standardet për SHC që e mbështesin dokumentin.

Jo rastësisht BE-ja e thekson rolin e shoqërisë civile sidomos në fushat e demokracisë, të drejtave themelore dhe qeverisjes të së drejtës. Ne do t’i rikthehemi Raportit Special të Gjykatës së revizorëve për Ballkanin Perëndimor, sipas të cilit, “Mbështetja e BE-së për veprimin e shoqërisë civile për sundimin e ligjit është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e sektorit civil dhe ndikimi i tij nuk monitorohet plotësisht. ” Prandaj, një nga rekomandimet themelore është intensifikimi i mbështetjes për shoqërinë civile të angazhuar në reformat e qeverisjes të së drejtës dhe pavarësisë së mediave.

Po çfarë është konstatuar deri më tani në lidhje me përmbushjen e standardeve për shoqërinë civile? Për fat të keq, një nga burimet relevante (joqeveritare!) – Raporti i Rrjetit Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile për një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile për vitin 2022, evidenton një sërë mbrapsjesh në vendin tonë në këtë front. Dhe, për fat të keq, kjo tendencë po vazhdon.