Shoqata e veteranëve dhe partitë opozitare protestuan në Kosovë

Me intonimet e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, ka nisur protesta e veteranëve të UÇK-së kundër miratimit të Ligjit të pagës minimale dhe incizimeve që u publikuan së fundmi, raporton Koha.net. Pas himneve, protestuesit kanë nisur me brohoritjet “UÇK, UÇK” e “Poshtë Qeveria”.

Luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Ajeti, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale ose do të përballen me protesta të vazhdueshme.

Deputetët e pushtetit e votuan të enjten Ligjin për pagën minimale, në të cilin nuk përfshihen veteranët. Kjo ka nxitur edhe protesta para Qeverisë gjatë ditës së sotme. Protestat, sipas veteranëve, nuk do të ndalen nëse Ligji që kaloi të enjten në mbrëmje në Kuvend do të dekretohet nga presidentja Osmani.

“Kush do ta kishte menduar, gati 25 vjet pas përfundimit të luftës, duhet të dilnim këtu për të kërkuar edhe një herë liri dhe të drejtat tona. Sot ato nuk po na mohohen nga një regjim i tmerrshëm i Millosheviqit, por nga Qeveria e shtetit për të cilin dhamë gjithçka. Por dita paska ardh. Sot jemi para Qeverisë të cilën e kemi çliruar me gjak e sakrificë. Për veteranët e UÇK-së ende po veten kriminelët serbë. Kjo nuk na kallxon befasi. Ne edhe sulmet e befasishme të armikut, i kemi kthyer në kundërsulm. Jemi këtu që me fjalën e lirë për trajtimin e padinjitetshëm që po na bëhet në kufi të tradhtisë. Për të drejtat tona dhe për ta kundërshtuar këtë Qeveri që po merr direktiva nga Serbia. Në koordinimin me Rajdoiçiqin, i la veteranët jashtë pagës minimale. Presidente Vjosa Osmani, mos e dekreto ligjin që i përbuz veteranët, përndryshe do të përballeni me ne, me protesta të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të fjalimit të Ajetit është bërë thirrje që protestuesit të shpërndahen të qetë.

Bajram Çerkinaj, kryetar i shoqatës “Zëri i Prindërve”, ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk po i mbështet veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë “që t’i kthehet popullit”.

“Nuk mundesh me i rrejt ata që i ke rrejt para dy vjetësh. Edhe ata janë mbush mend me e ditë kush është Albin Kurti”, ka deklaruar Çerkinaj.

“UÇK, Liri, ju jeni liria e Kosovës. Flisni fort e flisni çlirë. Unë shoqatën e dëshmorëve, veteranëve e luftës janë edhe dëshmorë edhe më të mëdhenj…. Krejt Kosova është për liri. Kush është ai që s’i përkrah. O ju që po na udhëheqni, ku jeni more? Ku jeni more për këtë popull? Ruani se ju nuk dini se çka është liria. Ju dini veç me rrejt e me shëmtu edhe ma zi se ata që na kanë shëmtuar gjakpirësit e 98-s e 99-s. Tmerr po jetojmë. E kemi gëzuar një liri e ne po e dëmtojmë atë. Kush janë ata? Këta që po thonë se veteranët s’kanë të drejt të marrin pagë normale, s’kanë të drejt të marrin frymë, s’kanë të drejtë fëmijët t’i shkollojnë. Kush po na pengon?” ka thënë ai në fjalimin para protestuesve.