Shkup, u vra një pjesëtar i ARM-së, MM: Personi nuk ishte në detyrë, ishte në ditë pushimi

Ministria e Mbrojtjes së RMV-së përmes një kumtese për media njoftoi se personi me inicialet A.M. nga fshati Batincë e Shkupit, i cili ndërroi jetë pas plagëve të marra sot pas ngjarjes tragjike, ishte pjesëtar i Ushtrisë, transmeton Portalb.mk.  

Institucioni i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit dhe ka informuar se gjatë ngjarjes tragjike, personi nuk ishte në detyrë në Ushtri, përkatësisht ishte në ditë pushimi. 

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë dhënë detaje shtesë. 

“Sot (11.07.2025) rreth orës 10:15 në SPB Shkup, M.E. ka raportuar se në hyrje të fshatit Batincë, në rrethinën e Shkupit, M.Xh. ka qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti në lëvizje të markës “Kia”. A.M. (50) ka pësuar plagë me armë zjarri në zonën e kraharorit dhe është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “Shën Naum i Ohrit” për ndihmë mjekësore, ku në orën 11:00 mjeku ka konstatuar vdekjen”, thanë nga MPB.

Për ngjarjen në Batincë, prokurori publik kujdestar ka dal në vend të ngjarjes dhe ka dhënë udhëzime për mbledhjen e fakteve. Nga prokuroria njoftojnë se kryerësi i veprës është në arrati dhe i njëjti po kërkohet nga autoritetet përgjegjëse.