Shkup, nata e Vitit të Ri do të festohet në qendër vetëm me muzikë maqedonase dhe pa fishekzjarre

Vetëm me artistë maqedonas, pa asnjë shqiptar ose artistë të nacionaliteteve tjera do të shënohet sonte nata e Vitit të Ri në qendrën e Shkupit, shkruan Portalb.mk.

Do të performojnë “Tin Camp”, Orkestra “Zonja e Shkupit”, “Pauzë për Raki”, “Trinity Strings”, Slatkar, Dario, “Merak Meana” me Susana Gavazova, Vlatko Miladinovski, Stojne Nikolova, Dushko Georgievski dhe Blaga Petreska.

Muzikantët maqedonas do të performojnë në sheshin e qytetit “Maqedonia” për të pritur Vitin e Ri.

“Viti i Ri duhet të jetë shpresë për një të nesërme më të mirë për të gjithë. Prandaj, këtë vit, në vend të fishekzjarreve, mjetet janë ridrejtuar për qëllime humanitare. Me këtë vazhdojmë të mbështesim të gjitha organizatat humanitare, civile dhe joqeveritare me shpresë se do të kemi sukses që viti i ri 2024 të sjellë shpresë të re për të gjithë qytetarët”, thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.

Nën moton “Qyteti i bukur ju fton të gjithëve”, më 25 dhjetor 2023, në sheshin “Maqedonia” në Shkup, filluan manifestimet para Vitit të Ri me titull “Historia e festave”, organizuar nga Qyteti i Shkupit dhe Oda e Industrisë së Muzikës.