Një tërmet prej 4.8 shkallë goditi Bosnjën dhe Hercegovinën, katër vetë u plagosën

Katër persona të lënduar, dy prej të cilëve po janë në spital, disa shtëpi të dëmtuara në lagjet Zenicë, Lubetovë, Hece dhe Vranduk, si dhe dëmtime të fasadave në qytet, janë pasoja të tërmetit të mbrëmshëm me epiqendër afër Zenicës. që ndodhi në orën 21:43 dhe goditi Bosnje dhe Hercegovinën, transmeton Portalb.mk.

Tërmeti ka qenë 4.8 shkallë me epiqendër në Zenicë.

“Sipas informacioneve nga Administrata kantonale për mbrojtje civile, në Lubetovë është vërejtur shembja e tjegullave nga disa shtëpi dhe shembja e një muri mbajtës. Në rrugën M17 në Jelinë ka pasur rrëshqitje dheu. Fatkeqësisht janë raportuar katër raste të lëndimit të qytetarëve, njëri prej tyre në Jelinë, ndërsa tre qytetarë janë lënduar si pasojë e rrënimit të materialit ndërtimor nga objektet dhe shtëpitë. Dy nga të lënduarit mbahen në Spitalin Kantonal të Zenicës. Policia jonë dhe shërbimet e Administratës Kantonale për Mbrojtjen Civile janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën në terren”, ka shkruar në Facebook, Nezir Piviç, kryeministër i Kantonit Zenic-Doboj.

Zehrudin Ibrahimagiq, kryetar i bashkësisë lokale të Lubetovës, vend jo larg Zenicës ku ishte epiqendra e tërmetit, tha se disa shtëpi janë dëmtuar.

“Epiqendra ka qenë në zonën afër Lubetovës. Në atë vend deri më tani janë shënuar dëme në disa shtëpi ku muret janë plasaritur dhe tjegulla kanë rënë dhe njerëzit kanë frikë të hyjnë në shtëpi. Do të presim mëngjesin për të vlerësuar dëmet në objekte”, tha mbrëmë Ibrahimagiq.