Shkup, më 23 maj do të shfaqet opera “Toska” nga Xhakomo Puçini

Në kuadër të Festivalit prestigjioz “Mbrëmjet Operistike të Majit”, më 23 maj, me fillim nga ora 20:00, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional, do të shfaqet opera “Toska” nga Xhakomo Puçini. Dashuria, pasioni, xhelozia dhe intrigat politike janë elementet dramatike lëvizëse të këtij “trileri operistik”, njoftuan nga Opera dhe Baleti Shkup, transmeton Portalb.mk.

Paolo Breshan nga Italia drejton shfaqjen e kësaj tragjedie dramatike nga Puçini, me regji të Ognjan Draganov (Bullgari), skenografia është e Zoran Nikollovskit, kostumografia është e Maria Pupuçevskës, mjeshtre e korit: Gjurgjica Dashiq dhe Jasmina Gjorgeska, kurse koncert mjeshtër është Jane Bakevski.

“Vesna Gjinovska Illkova, do të interpretojë në rolin kryesor, e cila është një soprano e shquar, me një dinamizëm të përsosur vokal dhe intonacion pa të meta. Ajo ka interpretuar një sërë shfaqjesh operistike dhe koncertesh, është fituese e çmimeve dhe mirënjohjeve më të larta shtetërore. Pastaj, do të interpretojë tenori Nikolla Kitanovski, një nga artistët më të njohur të operës nga hapësira e ish-Jugosllavisë, i cili ka performuar me shumë sukses për tridhjetë e pesë vjet. Ai do ta interpretojë rolin e piktorit Kavaradosi”, njoftojnë nga Opera dhe Baleti.

Në rolin e “Skarpia e keqe” do të interpretojë i ftuari nga Rumania, Luçian Petrean, në rolin e Angeloti, basi ynë, Vladimir Sazdovski, i ftuar i shpeshtë në skenat e operës botërore, do të performojë. Në rolet e tjera do të interpretojnë Dragan Ampov, Jane Dunimaglovski, Tihomir Jakimovski, Dimitar Kojuharov, Desanka Gligorijeviq, Miroslav Antovski së bashku me korin dhe orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional.