Shkenca në shërbim të autoktonisë: Albanologët prezantojnë hulumtime të reja që hedhin dritë mbi identitetin në Pollog

Në Universitetin e Tetovës u zhvilluan punimet e edicionit të nëntëmbëdhjetë të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, i cili u mbajt me temën “Dialogu kulturor mes letërsisë shqipe dhe asaj botërore”. Në kuadër të seminarit u hap edhe Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor, duke sjellë botimet më të fundit nga fusha e studimeve shkencore dhe universitare, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të programit të Seminarit XIX Ndërkombëtar të Albanologjisë, dje në Këndin e Kujtesës “Prof. Dr. Fadil Sulejmani” u zhvillua përurimi i tre botimeve më të fundit të studiuesit dhe profesorit të njohur të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Izmit Durmishi.

Librat e prezantuar para auditorit ishin: “Eufemizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë”, “Socioonomastika e Pollogut të Epërm” dhe “Hulumtime gjuhësore”.

Këto botime u mirëpritën ngrohtësisht nga pjesëmarrësit e seminarit, të cilët vlerësuan punën e përkushtuar dhe seriozitetin shkencor të autorit, i cili prej dekadash kontribuon në studimet e gjuhës shqipe, onomastikës dhe sociolinguistikës.

Pamje nga Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë. Foto: Universiteti i Tetovës-UT (Facebook)
Pamje nga Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë. Foto: Universiteti i Tetovës-UT (Facebook)

Në këtë ngjarje u paraqitën edhe recensionet e librave të sipërpërmendur. Akademik, Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, në vlerësimin e tij, nënvizon se vepra mbi eufemizmat është ndërtuar mbi hulumtime të gjera në terren dhe literaturë, duke sjellë një qasje universale, e njëkohësisht të lidhur ngushtë me specifikat e shqipes. Sipas tij, Prof. Dr. Izmit Durmishi ka ofruar një kontribut të çmuar në kuptimin gjuhësor, shoqëror dhe kulturor të kësaj dukurie komplekse.

Ndërkaq, Prof. Dr. Begzad Baliu monografinë “Socioonomastika e Pollogut të Epërm” e cilëson si një qasje të re metodologjike në studimet onomastike shqiptare. Ai vë në dukje se kjo vepër bashkon elementë të gjeografisë, dialektologjisë, sociolinguistikës e semantikës dhe sjell një pasuri të madhe toponimesh e antroponimesh, të cilat hedhin dritë mbi historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar në këtë trevë.

Pamje nga Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë. Foto: Universiteti i Tetovës-UT (Facebook)
Pamje nga Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë. Foto: Universiteti i Tetovës-UT (Facebook)

Po ashtu, Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu ka veçuar faktin se vepra, me mbi 1200 njësi onomastike të mbledhura nga terreni, është një dëshmi e fortë e autoktonisë shqiptare në Pollog. Sipas tij, puna e profesor Durmishit është e vyer jo vetëm për gjuhësinë shqiptare, por edhe për dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë historike e kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Botimet e fundit të Prof. Dr. Izmit Durmishit përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për albanologjinë, duke e pasuruar më tej fushën e gjuhësisë, onomastikës dhe studimeve shoqërore. Ky promovim dëshmoi edhe një herë se Seminari i Albanologjisë i UT-së mbetet një arenë e rëndësishme shkencore, ku prezantohen dhe diskutohen prurje të reja me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare, bëjnë të ditur nga faqja zyratre e Universiteti të Tetovës.