Shfuqizimi i njeriut (2)

Sipas C.S. Lewis-it të gjitha vlerat nxirren nga Ligji Natyror ose Parimi i Parë. Ne më shumë mësojmë për Zotin nga Ligji Natyror sesa nga universi në përgjithësi, ashtu siç mësojmë më shumë për një person duke dëgjuar bisedën e tij sesa duke parë një shtëpi që ai e ka ndërtuar. (Lindskoog, 1996) Ky Ligj na detyron të bëjmë atë që është e drejtë, pavarësisht se sa e dhimbshme, e rrezikshme ose e vështirë mund të jetë ajo.

Ndër pyetjet që shtron Lewis janë: Çfarë do të thotë të jesh njeri? Ç’është nderi? Cilat vlera duhen ndjekur? Vallë duhet t’i mbrojmë mënyrën tonë të jetesës, kulturën dhe vlerat e krijuara apo të dorëzohemi dhe t’i braktisim ato përballë provokimeve, ndryshimeve ose presioneve të jashtme? Këto pyetje kërkojnë reflektim mbi natyrën e qenies njerëzore, rëndësinë e vlerave, si dhe mundësinë për të ruajtur mënyrën tonë të jetesës në përballje me sfidat e ndryshimeve të kohës.

Nëse e mohojmë ose eliminojmë trashëgiminë etike të njerëzimit, thotë Lewis, ne e bëjmë veten (dhe ata që rrisim ose ndikojmë te ata) thelbësisht më pak njerëzor, e fshijmë identitetin tonë të vërtetë dhe hapërojmë drejt shkatërrimit të njeriut. Sipas tij ky proces, të cilin ai e quan “shfuqizimi i njeriut” (the abolition of man) po zhvillohet përgjatë këtyre dyqind viteve të fundit, kur i jemi nënshtruar pushtetit të “rregulluesve”, kushtëzuesve (conditioners) apo manipuluesve që e përdhosin natyrën njerëzore dhe natyrën në përgjithësi, kur çdo pushtet i arritur nga njeriu nënkupton edhe pushtetin mbi njeriun tanimë të shndërruar në produkt të lakueshëm nga kushtëzuesit. Në këtë epokë, vetë njeriu, që e ka pushtuar dhe tani ka kontroll mbi natyrën dhe mëton që përmes eugjenikës, kontrollit paranatal dhe propagandës të arrijë kontrollin mbi vetveten, nuk është më njeri por artefakt; ai duket i pushtuar nga ngadhënjimtari i egër (ferum victorem cepit); “në çdo fitore, përveç që është gjeneral triumfues, është edhe rob që ndjek kortezhin triumfal”. (Mitcham & Mackey, 1983)

Lewis “parashikoi momentin tonë kulturor aktual, kur ngritja dhe primati i vetes emocionale janë bashkuar me një shkencë të udhëhequr nga ideologjia”. Ky bashkim ideologjik, që përdoret nga shteti për të siguruar bindjen dhe ndërgjegjen e njerëzve, çon në shfuqizimin e përhershëm të njeriut ose dehumanizimin e njerëzimit. Ai na tregon se jetojmë në një epokë kur një elitë kulturore mundohet t’ia imponojë botëkuptimin e vet “të iluminuar” atyre me vlera tradicionale ose të vjetruara (antiquated values). (Hollon et al., 2022) Ndërkohë, sipas tij, vlerat janë vlera, dhe nuk vjetrohen përkundër sfidave me të cilat ato përballen. Do të kishim shtuar se ari mbetet ar edhe në mileniumin e tretë, përkundër vërshimit të valutave virtuale të kohës së post-truth.

“Shfuqizimi i njeriut”, të cilin biografi  i Lewis-it, Walter Hooper, e ka quajtur “hyrje e pashmangshme për gjithë corpusin e Lewisiana”-s (bota jetësore dhe veprore-krijuese  e autorit) synon të bindë audiencën e tij për rëndësinë dhe relevancën e vlerave të qëndrueshme faktike dhe globale në shoqërinë moderne. Ky libër ndihmon për t’i kuptuar kërcënimet që vijnë nga “shkretëtira racionale” (Ward, 2022), relativizmi moral dhe ata individë ose grupe që promovojnë këtë pikëpamje, e cila mbron idenë se normat dhe vlerat morale varen nga individi, kultura apo konteksti dhe se nuk ka standarde universale për to.

“Shfuqizimi i njeriut” duhet të lexohet para së gjithash nga edukatorët, mësimdhënësit, ata që performojnë në shkencat sociale dhe humane, në Geisteswissenschaften, “ata që janë të interesuar për filozofinë etike dhe morale, që i çmojnë  librat që nxisin mendimin dhe që sfidojnë status quo-në” (bliklist.com). Ky tekst duhet jetë pjesë e syllabuseve të filozofisë, etikës dhe shumë lëndëve të tjera universitare ngase nxit kundrim dhe reflektim intelektual lidhur me të ardhmen tonë si specie dhe si “botë e çmagjepsur” (Weber), si entitet që e ka humbur misterin dhe domethënien e thellë, veçanërisht si rezultat i modernizmit, shkencës dhe sekularizmit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.