ANALIZË: Optimizmi i (pa)arritshëm i Qeverisë së RMV-së për rritje ekonomike, dallim prej 30% krahasuar me vlerësimet e Bankës Botërore dhe KE-së
Banka Botërore dhe Komisioni Evropian parashikojnë rritje nën 3% për ekonominë e Maqedonisë këtë vit, ndërsa parashikimi i FMN-së është 3,2%. Edhe Banka Kombëtare bëri një korrigjim në rënie, me një parashikim të ri për rritjen e PBB-së prej 3%. Qeveria nuk u tërhoq – edhe në buxhetin e rebalancuar, projeksioni i rritjes ekonomike prej 3,7% mbeti i pandryshuar nga ai aktual, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Si do të arrihet rritja ekonomike prej 3,7%…
Përkeqësimi i mjedisit të jashtëm i detyroi autoritetet monetare t’i “shkrijnë” vlerësimet për rritjen ekonomike për këtë vit nga 3,3% në 3%, ose 0,3 përqind më pak. Ky korrigjim në rënie ndodhi praktikisht në të njëjtën ditë kur Qeveria e miratoi Buxhetin e rebalancuar për vitin 2025 me një përqindje të pandryshuar të rritjes prej 3,7%.
Vlerësimi i Qeverisë për rritjen e PBB-së është më i larti krahasuar me vlerësimet e Bankës Kombëtare dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. “Motori” kryesor për rritjen e PBB-së prej 3,7%, sipas Qeverisë, duhet të jenë investimet pas të cilave qëndron kredia hungareze dhe rritja e konsumit privat si rezultat i rritjes së rrogave dhe pensioneve.
“Investimet bruto pritet të luajnë një rol të madh në nxitjen e aktivitetit ekonomik. Rritja e fortë në tremujorin e parë pritet të ruhet gjatë gjithë vitit 2025 dhe parashikohet në një nivel prej 8,6%, si rezultat i intensifikimit të zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti (korridoret 8 dhe 10 dhe infrastruktura hekurudhore) dhe investimeve kapitale nga komunat për të cilat janë siguruar burime shtesë financiare” – thuhet në buxhetin e ribalancuar.
Çfarë parashikojnë FMN-ja, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian…
Pavarësisht optimizmit të përvijuar për ekonominë vendase, hartuesit e politikave fiskale megjithatë i vënë në dukje rreziqet eë jashtme.
”Rritja ekonomike në Eurozonë pritet të bjerë lehtësisht nga 0,9% në vitin 2024 në 0,8% në vitin 2025, si rezultat i rritjes së pasigurisë. Në Gjermani, aktiviteti ekonomik në vitin 2025 pritet të mbetet në të njëjtin nivel si në vitin 2024” – thuhet në dokumentin e buxhetit.
Megjithatë, sipas qeverisë, aktiviteti ekonomik vendas do të arrijë të sjellë rritje të PBB-së prej 3,7% këtë vit dhe 4% në vitin e ardhshëm. Ndryshe nga qeveria, institucionet financiare ndërkombëtare kanë vlerësime më të rezervuara, si për këtë vit ashtu edhe për vitin e ardhshëm. Banka Botërore dhe Komisioni Evropian kanë parashikimin më të ulët prej 2,6%, që është për 30% më i ulët se ai i qeverisë. FMN-ja për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm parashikon një rritje prej 3,2%.

Banka Botërore dhe Komisioni Evropian aktualisht kanë parashikime dukshëm më të ulëta për rritjen ekonomike sesa ato të institucioneve vendase. Buxheti i ri i ribalancuar, i cili nuk përfshin asnjë ndryshim në aktivitetin ekonomik për këtë vit, i është dërguar tashmë Kuvendit për miratim.