Tenderi dështoi, Manastiri do të presë për ndërtimin e stacionit për trajtimin e ujërave të zeza

Dështoi procedura e tenderit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Manastir, e cila ishte shpallur një vit më parë dhe që duhej të fillonte këtë vit. Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor informojnë për Meta.mk se kompanitë që kanë marrë pjesë në tender kanë dorëzuar oferta që kanë tejkaluar buxhetin e parashikuar, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, projekti për ndërtimin e stacionit në Manastir financohet përmes Programit IPA 2 të BE-së dhe kap vlerën prej 27.8 milionë euro.

“Procedura e tenderit është anuluar për faktin se të gjitha ofertat teknikisht korrekte ishin mbi buxhetin e parashikuar të projektit. Procedura e tenderit do të përsëritet. Dokumentacioni i tenderit është rishikuar, pritet që të dorëzohet në Delegacionin e BE-së për miratim, pas së cilës do të publikohet”, thonë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Procedura për ndërtimin e objektit kapital për Manastirin, i cili duhet të shpëtojë nga ndotja ujërat e lumit Dragor, është shpallur më 16 nëntor 2022, ndërsa ofertat nga kompanitë ndërtuese janë mbledhur deri më 21 shkurt të këtij viti, pas së cilës pasonte edhe procedura për shqyrtimin e ofertave.

Por, në vend që të nënshkruhet kontrata me ofertuesin më të favorshëm që ishte planifikuar për këtë vit dhe të fillojë ndërtimi i impiantit të trajtimit, tani e gjithë procedura duhet të përsëritet për shkak të çmimeve të larta të kontraktorëve.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka një afat specifik se kur do të realizohej premtimi i kahershëm që Manastiri të ketë impiant për trajtimin e ujërave të zeza. Ata thonë se do të varet nga tenderi i ri.

“Pas përsëritjes së procedurës së tenderit dhe lidhjes së kontratës, ndërtimi do të kryhet brenda dy viteve dhe përveç kësaj një viti për raportimin e defekteve”, sqaron ministria.

Objekti i ardhshëm infrastrukturor duhet të përfshijë fekale që aktualisht derdhen të patrajtuara në lumin Dragor, Kanalin e Pestë nga Manastiri dhe vendbanimet përreth. Impianti i trajtimit të Manastirit do të ketë kapacitet për t’u shërbyer 112.474 banorëve dhe me tender duhet të zgjidhet kontraktori për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Manastir me 15 kilometra të reja dhe për rindërtimin e rrjetit ekzistues të kanalizimit në gjatësi prej 13 kilometra.

Kujtojmë se edhe nërtimi i stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në Shkup tashmë duhej të kishte filluar, afati tashmë ka kaluar, por që kjo të ndodhë është e nevojshme që Qyteti i Shkupit t’i përmbushë obligimet e veta, tha ministrja e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova.

“Që të fillojë ndërtimit i stacionit të pastrimit më parë duhet të përfundojnë edhe dy aktivitete. Bëhet fjalë për shpronësimin e tokës dhe planifikimin urbanistik, dy aktivitete që duhet t’i kryejë Qyteti i Shkupit”, sqaron ministrja Shukova.

Për momentin Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Qytetin e Shkupit, por vetëm përmes grupit punues.

E njëjta situatë është edhe në Tetovë. Ndonëse kontrata për implementimin e projektit IPA për ndërtimin e filtër stacionit për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Komunën e Tetovës është nënshkruar në vitin 2017, zbatimi i projektit është zvarritur vazhdimisht. Madje, ende nuk është shpallur tenderi për të njëjtën. Dosja ka ngecur në Ministrinë e Financave, por nga ky institucion nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske se kur do të shpallet tenderi.