Shefi i CIA-s është takuar me kryeministrin e Kosovës Albi Kurti
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është takuar me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e 23 gushtit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë.
Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.
Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.
Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.
Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.
Gjatë vizitës, sipas zytarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.
Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.
Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.
Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.
Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Pavarësisht se vizita e tij në Kosovë nuk u konfirmua, në mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën “VIP” të aeroportit.
Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqe për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan futuroi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.
Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.